E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gjiknuri: Listat për votën e diasporës do të jenë gjithmonë publike në KQZ

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore në Grupin për Dialogun, Damian Gjiknuri u shpreh sot se listat për votën e diasporës do të jenë gjithmonë publike në KQZ.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, Gjiknuri theksoi se adresimet që janë në tavolinë, kanë të bëjmë me tre vendime të Gjykatës Kushtetuese.

“E para, ka të bëjë me votën e diasporës, vendim që ka krijuar më shumë paqartësi për sa i përket zbatimit. Gjykata Kushtetuese ka kërkuar më shumë qartësi për mënyrën si është krijuar ligji. Vendimi i dytë, që ka të bëjë me shfuqizimin e formulës së herësit, por jo heqjen e herësit. Kjo ishte një nga objektivat se përse iniciativa ligjore e PS-së ka të bëjë me korrigjimin e formulës së herësit. Shifra 7 mijë ka qenë tavan. Propozimi jonë nuk gjeti dakordësi, megjithëse unë mendoj se është propozimi më i mirë. Vendimi i tretë ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, shfuqizimi i pragut që kishte kandidati i pavarur. Për shkak të këtij vakuumi u detyruam dhe paraqitën tri iniciativa”, shtoi ai.

Gjiknuri theksoi se “për ligjin për votën e diasporës gjetëm kompromis”.

“Kjo e bën procesin më me integritet dhe transparencë, sepse listat do të jenë gjithmonë publike në KQZ. Pra, në kohë reale partitë politike, përfaqësuesit e tyre kanë dijeni për të gjithë dinamikën e listës zgjedhore për votuesit që votojnë jashtë”, theksoi ai.

Gjiknuri theksoi se votat do të numërohen në KQZ.

“KQZ ka eksperiencë për numërimin e votave, është transparente. Kemi vënë një kuti aty që në momentin që hapen, për shembull, në qarkun Vlorë ose Durrës, automatikisht fillojnë numërohen dhe votat që vijnë nga diaspora”, tha Gjiknuri.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›