Gjiknuri: Raporti të jetë 3 me 3, kryetari me konsensus
Formula e opozitës për rikompozimin
Sekretari i PS-së për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri, bëri publike një ndër alternativat e socialistëve për të zgjidhur situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës. Në një intervistë për News24, deputeti Gjiknuri bëri të ditur se opozita kërkon rikompozimin e KQZ-së në raportin 3 me 3 dhe një kryetar që duhet të zgjidhet me konsensus mes palëve. Zgjidhja është të bëhet rikompozimi i KQZ-së apo elementë të tjerë që po të ulemi në tavolinë ka opsione. Komuniteti ndërkombëtar po bën apele, uluni dhe dialogoni. Vazhdojnë të bëjnë kokëfortin, nuk po kuptojnë rrezikun që po u bëjnë standardeve të zgjedhjeve. Raporti në KQZ, sipas Kodit Zgjedhor, ka qenë 3:3 dhe 1 me konsensus. Sipas ligjit, kreu i KQZ-së zgjidhet me një procedurë konsensuale. Lefterije Lleshi nuk u zgjodh me konsensus. Por ne nuk mund të ulemi të dialogojmë kur PD-ja ka deklaruar publikisht se ka në KQZ 4 kamikazë politikë, deklaroi Gjiknuri. Sipas deputetit socialist, KQZ-ja aktuale e ka humbur legjitimitetin dhe përgjegjëse për ngërçin e krijuar është mazhoranca, e cila shkeli në mënyrë të njëanshme ligjin, me shkarkimin e anëtarit të propozuar nga LSI-ja, Ilirjan Muho. KQZ-ja u godit në mënyrë të njëanshme, ligji u shkel haptazi ditën me diell, përkundër thirrjeve për dialog. Mazhoranca vendosi ta ketë KQZ-në si një seksion të PD-së, le të mbajë koston dhe avantazhet e këtij kontrolli, vijoi Gjiknuri. Një ditë më parë, përmes deputetes Vasilika Hysi, Partia Socialiste shprehu publikisht gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje për KQZ-në, për të garantuar besueshmërinë e zgjedhjeve. “Ne si PS jemi të gatshëm për të punuar që të gjejmë një zgjidhje, e cila do të garantonte integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve. E ftojmë Kryeministrin në ikje, që në këto momente të dëgjojë zërin e arsyes dhe shqetësimin që nuk vjen vetëm nga Partia Socialiste dhe opozita, por nga të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë, u shpreh Hysi.
Gjiknuri: Raporti të jetë 3 me 3, kryetari me konsensus burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email