Gjiknuri padit Bardhin për shpifje: Të bëjë gati heqjen dorë nga mandati

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi sot se do të padisë për shpifje Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Bardhi akuzoi më herët nga foltorja e PD-së Gjiknurin, për konflikt interesi në kohën kur ushtronte detyrën e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në rastin e inceneratorëve të mbetjeve.
“Shpërthimet e pakontrolluara të Gazit të Lulit faktojnë situatën e emergjencës dhe panikut që ka përfshirë lidershipin zyrtar të Partisë Demokratike. Efektin ndotës të të tillë Gazrave nuk ka incenerator as impiant që ta marrë përsipër ta trajtojë”, tha Gjiknuri.
Ai paralajmëroi se për të gjitha deklarimet e djeshme, të përsëritura dhe ditën e sotme, ka autorizuar “dorëzimin e padisë për shpifje ndaj Gazit të Lulit”.
“Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, ju drejtova zyrtarisht autoriteteve përgjegjëse dhe nga 17 datat e pretenduara nga PD si lëvizje të miat jashtë vendit, sipas sistemit TIMS 14 rezultojnë të pavërteta. Tre data që përkojnë me udhëtime të miat janë krejt rastësore e pa asnjë lidhje me personat në fjalë: përkatësisht dy janë vizita zyrtare në detyrën e Ministrit dhe një udhëtim me automjet me familjen time. Asnjë udhëtim charter”, tha Gjiknuri.
Po ashtu ai theksoi se “të gjitha udhëtimet janë bërë në linjat e zakonshme të fluturimit”.
“Nën presionin e “Foltores”, duket qartë se Gazi i Lulit dhe Luli i Gazit e kanë nxjerrë në shitje partinë si shpifësa me pagesë, gjobvënësa ekonomik e politik, duke ju vetofruar blerësit më të parë. Gaztori i Lulit të gjejë avokatin dhe bëjë gati mbrojtjen në gjykatë! Siç e sfidova dje publikisht në Kuvend, hapi i dytë, të bëjë gati heqjen dorë nga mandati si shenjë reflektimi për budalliqet me pagesë që nxjerr nga goja”, tha Gjiknuri.