E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjiknuri takime në lagjen ‘Çlirimi’: Zhvillimi i Elbasanit është i lidhur me fatin e qeverisjes së PS

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri së bashku me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja u ndalën në një bashkëbisedim me banorë të lagjes “Çlirimi” në Elbasan.

Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik, theksoi se fushata e PS-së është një fushatë konkrete, me punë të bëra dhe projekte për të ardhmen.

“Ka shumë arsye që duhet që Gledi të dalë mirë. Së pari ne na duhet zhvillimi i Elbasanit, por zhvillimi i Elbasanit është i lidhur me fatin e qeverisjes së Partisë Socialiste, se këtu mund të vijnë shumë kandidatë dhe të hapin thesin e premtimeve. Këtu u përmendën ca, se këtu kandidati kundërshtar hapi thesin, jo të premtimeve, por të fantazive, do bën Disneyland në Elbasan.

Dy ka gjithë bota, i treti do vika në Elbasan. Një është në Florida, një në Paris dhe i treti do vika në Elbasan.  Por unë e di se populli nuk i ha këto, po tani shqiptarët kanë parë botë, kanë lëvizur, e dinë mirë si është biznesi, e dinë mirë se si bëhen gjërat, kështu që kam frikë se ai kundërshtari ka mbetur tek niveli i mashtrimit shumë të dobët që nuk e lartëson figurën e tij, pavarësisht se ka nivel të lartë në partinë e Sali Berishës”, tha ai.

Duke bërë krahasimin e premtimeve imagjinare të alternativës përballë, Gjiknuri theksoi sa i rëndësishëm  është zhvillimi dhe bashkëpunimi qeveri-bashki.

“Pa binomin bashki-qeveri politikisht, zhvillimi vihet në pikëpyetje. Pse? Sa herë që PD-ja ose opozita merr një bashki, ndërpret komunikimin me qeverinë, fillojnë të gjitha projektet vihen në pikëpyetje. Bashkia e Elbasanit nuk i ka mundësitë financiare, që me taksat e qytetarëve t’i bëjë të mundura të gjitha këto që u thanë këtu.

Patjetër që detyra e kryetarit të bashkisë është që të mirëadministrojë fondet, të bëjë projekte, të bëjë këto ndërhyrjet e vogla nëpër lagje, nëpër fshatra, nëpër periferi, asflatime lagjesh që janë detyrë direkte e bashkisë, por projektet  e mëdha si ujësjellës, kanalizime, ato që u folën për rrugët, rehabilitimin e Lagjes së Kalasë, “Auto Moto Parku”, ajo shëtitorja që duhet ta ketë Elbasani, të gjitha këto bëhen vetëm me mbështetjen e qeverisë. Epo vota për Gledin është dhe votë për vazhdimin e atij projekti, kjo është shumë konkrete. Kush nuk do ta dojë të vazhdojnë investimet në rrjetin e ujësllës-kanalizimeve?! Vetëm këtë vit ca nga  projekti  i qeverisë me KFW, ca nga financimet e buxhetit të shtetit, në mos gabojnë janë 16 mln euro të tjera që do të hidhen në Bashkinë e Elbasanit.

Pse duhet ti vëmë në pikëpyetje ne këto? Se ka mbetur njëri pa punë, një aty tek opozita  dhe do të marri Bashkinë? Jo, qytetarët e Elbasanit do të zgjedhin infrastrukturën e tyre,  të ardhmen e qytetit të tyre, prandaj them që vota më 14 Maj vlen edhe për këtë dhe shumë e shumë gjëra të tjera”,deklaroi Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve vijoi më tej duke shtuar se binomi Berisha-Meta nuk mund të gjejnë shpëtimin e tyre në Elbasan, sepse elbasanasit janë qytetarë të zgjuar dhe dinë të bëjnë dallimin. Gjiknuri siguroi se vëmendja kryesore e tij si drejtues politik, do të jetë pikerisht ndaj personave të papërgjegjshëm në administratë, të cilët lodhin e mundojnë qytetarët duke mos u dhënë shërbimin e duhur.

“Një nga detyrat tona në këtë fushatë, ka njerëz të papërgjegjshëm në administratë që u bëjnë dëm qytetarëve dhe këtu kur them ekip politik, këtë kam parasysh si drejtues, si kapiten i këtij ekipi: të çojmë të drejtën në vend. Ku ka njerëz në administratë shtetërore që u bien në qafë njerëzve, ne ti shkundim, t’u tregojmë forcën e së drejtës dhe ligjit dhe kjo është detyra jonë politike dhe këtë do ta bëjmë si ekip.  Dhe kjo votë vlen dhe për atë që është i mërziturdhe për t’i thënë që ka një ekip politik, ka një garanci politike, besoni tek ndryshimi i Partisë Socialiste dhe tek Gledi.

Rruga e zhvillimit të Bashkisë së Elbasanit nuk është e shkëputur nga Partia Socialiste dhe patjetër që njeriu është kyçi këtu; ne të gjithë bashkë si ekip, se në fund të fundit se në politikë mund të themi shumë, por njerëzit bëjnë diferencën. Gledi flet pak, dëgjon shumë. Patjetër ne si ekip, bashkë me Kryeministrin Rama, do të merremi edhe me gjërat e mëdha, që janë dhe gjërat e Gledit, por dhe gjërat e çdo elbasanlliu që duhet të jetë krenar për qytetin e tij”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›