Gjikondi-Mediut: Bëhu bashkëpunëtor me drejtësinë. Të dalë përgjegjësi për Gërdecin!

Juristja Brizida Gjikondi i bëri ftesë ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të bëhet bashkëpunëtor me drejtësinë në çështjen “Gërdeci”.
“Synimi nuk është tek ju, z. Mediu, por tek e vërteta,” deklaroi znj. Gjikondi në emisionin “3D” në RTSH.
Për ish-ministrin dhe kryetarin e republikanëve, dorëzimi i imunitetit vite më parë për këtë arsye ishte një hap jo i lehtë, por qëllimi i tij ishte pikërisht të mos bëhej pengesë për drejtësinë.
“Secili mund të supozojë. Nuk jeni vetëm ju. Unë kam dorëzuar imunitetin. E para, njëherë, kam dhënë dorëheqjen si ministër dhe ky akt nuk është gjë e lehtë. Në kulmin e karrierës sime, pak ditë para se të merrej ftesa për anëtarësim, puna, angazhimi dhe ëndrra ime në respekt të atyre që humbën jetën atje dhe familjet e tyre. Nuk e kam bërë ndonjëherë debat publik këtë çështje. Jam përpjekur të ndjekë të gjitha procedurat. Nuk jam pyetur ndonjëherë për asgjë. Kjo i takon një procesi që duhet të ishte transparent,” u shpreh kryerepublikani Mediu.
/rtsh.al/