E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjilani marsh për Luginën

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan organizoi marsh solidarizues për Preshevën, Medvegjës dhe Bujanocin. Qindra qytetarë morën pjesë në këtë marsh, me parullën kryesore “Stop diskriminimit të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, dhe me parullat tjera si: “Ndal spastrimin e heshtur etnik”, “Të drejtat e shqiptarëve nuk janë çështje e brendshme e Serbisë”, e të ngjashme. Protestuesit marshuan nga shkollat e mesme të qytetit e deri në hapësirën pranë “Teatrit të Qytetit”.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, Ismajl Kurteshi, deklaroi para marshuesve arsyen kryesore të marshit: “Jemi sot këtu që t’i përkrahim kërkesat e drejta të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të artikuluar në platformën politike të vitit 2006, si dhe ta ngrehim zërin kundër dhunës, përndjekjeve dhe represioneve të pandërprera mbi 100-vjeçare të shtetit të Serbisë mbi shqiptarët. Heqja e Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit nga qendra e qytetit shqiptar të Preshevës është vetëm njëra nga shkeljet e njëpasnjëshme të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave kolektive të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre autoktone në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanocë.”

Ai ndër të tjera numëroi një varg kërkesash që do të duhej të plotësohen, e të cilat do ta ndalnin ankthin dhe shtypjen e vazhdueshme të të drejtave të qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. “Ne kërkojmë sigurimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare; kërkojmë që Qeveria e Kosovës t’i ndalë menjëherë negociatat me Serbinë; t’i heq taksat që shqiptarët e Luginës i paguajnë në kufi sa herë që vijnë në Kosovë; kërkojmë ngritjen e problemit të pazgjidhur të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe institucionet e tjera ndërkombëtare; të pengohen përndjekjet, arrestimet dhe burgosjet e ish luftëtarëve të UÇPMB-së; shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc t’u krijohen kushte për kthimin e tyre të sigurt në shtëpitë e tyre dhe të ndalet terrori sistematik për spastrim etnik të këtyre trojeve”, u shpreh Kurteshi.

Ndërkohë, kryetari i shoqatës së “Vatrës”, Sejdulla Kadriu, foli për diskriminimin që po u bën shteti serb shqiptarëve të asaj pjese. “Shqiptarët e Kosovës Lindore përveç diskriminimit të vazhdueshëm që u janë nënshtruar pas përfundimi të luftës në mes UÇPMB-së dhe forcave ushtarake policore serbe, këto ditë u janë nënshtruar një presioni të paparë duke marrë pretekst lapidarin e ngritur në Preshevë, në nderim dhe përkujtim të dëshmorëve të UÇPMB-së të rënë në luftë për liri, në luftë për të mbrojtur tokat shqiptare. Serbia e hoqi ashtu siç e hoqi, dhe ka forcë të largojë një pllakë në mënyrë tinëzare, por më habit fakti që bashkësia ndërkombëtare nuk reagon më ashpër për të mbrojtur një popull të pambrojtur, sepse ata kanë qenë garantues të paqes dhe stabilitetit kur ne i kemi lënë armët. Kjo nuk mund të cilësohet ndryshe pos si tradhti në kurriz të popullit të Luginës”, u shpreh ai. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›