E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Ambasadori në Beograd, hap drejt normalizimit të marrëdhënieve

(E plotësuar) Emërimi i Lulzim Pecit për ambasador në Beograd shënon hapin e tretë të rëndësishëm për Kosovën në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen reciproke mes të dyja vendeve.

Ky është vlerësimi i kreut të diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, i cili pas konsultimeve me kryeministrin Hashim Thaçi, i bëri propozimin presidentes Jahjaga që ambasadori në Suedi Lulzim Peci të zhvendosët në Beograd.

“Pas arritjes së marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit para disa javësh dhe pas arritjes së marrëveshjes për doganat javën e kaluar dhe së treti pas emërimit të këtij ambasadori janë krijuar tre hapat e parë fundamentalë të cilët do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për pranimin dhe njohjen e ndërsjellë dhe për bashkëpunimin politik ndërmjet dy vendeve”, thotë Hoxhaj për RTK.

Ministri Hoxhaj më tej tha se Ministria që ai drejton ka hartuar një koncept të funksionimit të zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd:

“Kemi hartuar një koncept në detaje, i cili e shpjegon strukturën e zyrës së RKS-së në Serbi, funksionimin e saj, akreditimin dhe ambasadori i RKS-së do të ketë përfaqësim politik dhe ekonomik, por edhe dinjitoz e profesional. Ambasadori i RKS-së do të bëjë punën e tij si çdo diplomat tjetër që e bën punën e vet në Beograd”.

E sa i përket zgjedhjes së mundshme të Oliver Ivanoviqit, si përfaqësues diplomatik serb në Kosovë, Ministri Hoxhaj tha se ende nuk kanë marrë ndonjë propozim nga Serbia, por cilindo emër që do ta propozojë pala Serbe, institucionet e Kosovës do ta trajtojnë me shumë vëmendje.

E në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel, Zyrat Ndërlidhëse e Kosovës dhe e Serbisë do të qëndrojnë në objektet ku janë të vendosur përfaqësuesit e BE-së në të dyja vendet./Indeksonline/
....

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës, Enver Hoxhaj, pas konsultimeve me kryeministrin, Hashim Thaçi ka propozuar Lulzim Pecin për postin e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë, raporton RTK. 

”Për këtë propozim, Ministri Hoxhaj ka informuar sot edhe Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila pritet të merr vendimin për dekretimin e Ambasadorit Peci. Emërimi i ambasadorëve të rinj dhe caktimi i ambasadorëve të deritashëm në misione në vende të ndryshme, janë lëvizje normale të ambasadorëve, në përputhje të plotë me aktet normative të Republikës së Kosovës dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare diplomatike. Këto lëvizje janë hapa të rëndësishëm në kuadër të aktiviteteve të politikës së jashtme të Kosovës, me qëllim të dinamizimit të diplomacisë kosovare dhe fuqizimit të vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, deklaroi Artan Behrami, zëdhënës i MPJ-së./Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›