Musmurati: Baci Jakup duhet të jetë në kongres

Valdrin Krasniqi
Hashim Thaçi deri tani është kandidat i vetëm për tu rizgjedhur në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpo kjo mund të ndryshojë më vonë. Kështu ka thënë Basri Musmurati, i ngarkuar nga Partia Demokratike për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të kësaj partie.
Ai ka sqaruar se PDK po e rrumbullakon procesin zgjedhor me 26 dhe 27 janar të këtij viti.
“Janë mbajtur 634 seksione ndërsa janë zgjedhur 777 kryetar të nëndegëve të PDK-së dhe 37 kryetar të degëve. Në gjithë këtë proces kanë marrë pjesë 69 mijë anëtarë të PDK-së”, ka thënë Musmurati.
Gara ka qenë shumë e fortë e nganjëherë ka pasur edhe ashpërsime, por të gjitha procedurat, sipas Musmuratit, kanë qenë demokratike dhe transparente.
“Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Vitia ende nuk e kanë rrumbullakuar këtë proces, mirëpo kjo nuk do të paraqes problem në kongresin e partisë që mbahet gjatë këtij vikendi”, ka deklaruar ai.
Duke folur për sekretarin e Partisë Demokratike, Jakup Krasniqin, Musmurati thotë se me të është zhvilluar PDK-ja dhe Krasniqi ka një respekt të madh nga anëtarët e PDK-së.
Ai ka thënë se nesër do ta vizitojë Krasniqin dhe do t’i lutet që të jetë i pranishëm në kongresin e përgjithshëm të PDK-së, mirëpo është e drejtë e tij që të vijë ose mos vij.
Ai tha se Krasniqi ka pasur një kërkesë gojore që të shtyhet kongresi, mirëpo kjo nuk varet nga lideri Hashim Thaçi, për një gjë të tillë vendos këshilli drejtues.
Ndërsa për nënkryetarin Fatmir Limaj thotë se fizikisht prania e tij është e pamundur, por ai do të jetë i kandidat për tu zgjedhur në ndonjë post në kryesi.
Kurse ardhja e Kadri Veselit në PDK, sipas Musmuratit e ka forcuar Partinë Demokratike./Indeksonline/