Gjilani përforcon bashkëpunimin me komunën turke Nazeli

Në Gjilan është duke qëndruar një delegacion i komunës nazeli të Turqisë, komunë kjo me të cilën është edhe e binjakëzuar. Kreu i Gjilanit, Qemajl Mustafa të mërkurën ka pritur delegacionin turk, të cilit i prin kryetari i komunës, Haluk Aliçik, i cili shoqërohej edhe nga Mehmet Okur nënprefekt i Nazelisë. Në delegacionin turk ka edhe zyrtarë, drejtorë dhe veprimtarë sportiv.Mysafiri nga Turqia, para gazetarëve tha se ka qenë para dy vjetësh në Gjilan, por vizita e tij e sotme është shumë mbresëlënëse. “Vërejta dallim shumë të madh dhe kjo më gëzoi pamasë. Për Nazelinë ka rëndësi të madhe binjakëzimi me Gjilanin sepse ka një komunitet turk këtu, i cili ka tretman të posaçëm dhe për ne kjo është e rëndësishme”, tha Aliçik, raporton rajonipress.
Mustafa tha se për qytetin e Gjilanit është me rëndësi të madhe binjakëzimi, sepse Nazeli ka një përvojë të mirë në administratë, ka resurse bujqësore. “Do t`i marrim përvojat e mira dhe pozitive të dyja vendeve, duke e shtuar dhe forcuar partneritetin edhe në fushat tjera. Turqia është njëri nga partnerët strategjik më të rëndësishëm për Kosovën, sepse ky shtet ishte i pari që e njohu pavarësinë e Kosovës. Nga Turqia përfitimet për Kosovën dhe Gjilanin janë të shumëfishta”, deklaroi kreu i Gjilanit.
Mustafa tha se Gjilani ka një tretman të mirë institucional për komunitetin turk.”Edhe pse nuk jemi të obliguar me ligj ta kemi si gjuhë zyrtare gjuhën turke, ne këtë e kemi bërë për shkak të respektit që kemi për komunitetin turk në Gjilan”, tha Mustafa.
Mehmet Okur tha se partneritetet mes dy komunave duhet të forcohen dhe avancohen. “Turqia vazhdimisht është në krah të Kosovës dhe këto vizita kanë rëndësi të veçantë sepse zhvillojnë ekonominë”./Indeksonline/