E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkeqësohet situata në Egjipt, 278 viktima

 Një qetësi e zymtë zbriti mbi Kajro në orët e para të së enjtes, pas asaj që mund të quhet si dita më e përgjakur që prej revolucionit të dy viteve më parë, që supozohej se do të sillte paqe dhe demokracinë në Egjipt, por nuk ndodhi kështu.

Dhuna e së mërkurës vuri përballë ushtrinë e Egjiptit dhe qeverinë aktuale kundër mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohammed Morsi, por pati edhe përleshje mes të tjerëve.

Të paktën 278 persona janë vrarë gjatë dhunës së djeshme, përfshi 235 civilë, raporton televizioni shtetëror, duke cituar zyrtarë të emergjencave në Egjipt. Ministri i Brendshëm, Gjeneral Mohammed Ibrahim, tha se 43 të tjerët mes viktimave janë oficerë policie.

“Është një luftë e hapur”, tha një protestues, i cili arriti të arratisej nga njëri prej 2 kampeve të bastisura të mërkurën.

Revolucioni i 2011-s, që çoi në rrëzimin e ish-presidentit Hosni Mubarak, i cili pati një kontroll të vendit prej 30 vjetësh, u pasua nga zgjedhjet e para demokratike të Egjiptit. Morsi, një lider i grupit islamik të Vllazërisë Muslimane, fitoi presidencialet pas votimeve të 2012-s, por u rrëzua nga posti nga ushtria muajin e kaluar.

Që prej atëherë, Morsi është i arrestuar dhe nuk është shfaqur në publik. E megjithatë, mbështetësit e tij kanë shprehur publikisht opinionet e tyre, duke u “derdhur” nëpër rrugët e Kajros dhe qyteteve të tjera, për të kritikuar liderët e ushtrisë dhe për të kërkuar rikthimin e tij si president.

Qeveria e Egjiptit nuk kishte dhënë asnjë shenjë zmbrapsjeje, duke kritikuar elementë të lëvizjes protestuese dhe duke i urdhëruar specifikisht ata të largoheshin nga 2 kampet, ku ishin mbledhur në Kajro përgjatë 6 javëve të fundit, përndryshe do t’i detyronin me forcë të shpërndaheshin. Dhe, të mërkurën ata e bënë realitet këtë.

Presidenca e Egjiptit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në nivel kombëtar, pas masakrës që ndodhi, kur forcat e sigurisë bastisën kampet e protestuesve në Kajro. /Top Chanel/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›