Gjimnazet, formula për të marrë kreditet e lëndëve
Ka hyrë në fuqi gati një vit më parë rregullorja e re për vlerësimin me kredite të gjimnazistëve. Por, nxënësit e vitit të parë duket se nuk kanë marrë informacionin e nevojshëm nga shkollat.Duke marrë shkas nga një e-mail dërguar dy ditë më parë nga një grup nxënësish të një prej gjimnazeve më në zë të kryeqytetit, gazeta u vjen në ndihmë me informacionin mbi këtë sistem. Jemi tepër të shqetësuar, sepse nuk jemi aspak të informuar mbi sistemin e ri të krediteve dhe do të donim të na ndihmonit duke marrë informacione. Sistemi i ri është tepër i ndërlikuar dhe shkolla jonë nuk na mundëson plotësimin e kërkesave tona, thuhet në e-malin e ardhur në redaksi nga një grup nxënësish i klasës së 10-të. Në fakt, vlerësimi i gjimnazistëve këtë vit ka ndryshuar kryekëput. Në të gjithë vendin nxënësit po përballen me një sistem të ri vlerësimi, ku nota nuk përfaqëson gjithçka. Kreditet, një element krejt i ri për sistemin parauniversitar, rrezikojnë të djegin ata maturantë, që nuk kanë arritur normën e përcaktuar. Me sistemin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të instaluar në shkollat e mesme, vlerësimi nuk do të jetë më semestral por vjetor, duke mos mbetur thjesht një mesatare aritmetike. Për të mos rrezikuar Maturën Shtetërore, nxënësit duhet të bëjnë mirë llogaritë përmes formulës së vlerësimit.
Formula e re
Sipas rregullores, vlerësimi i ri konsiston në përdorimin e një formule të re. Ajo merr në konsideratë vlerësimin me gojë, atë me shkrim, si dhe projektet kurrikulare. Përkatësisht, për secilën prej tyre është vendosur raporti 40%, 50% dhe 10% që përbëjnë projektet kurrikulare. Nisur nga një përllogaritje e thjeshtë, për të kaluar nga klasa X në atë XI apo XII nxënësit duhet të kenë grumbulluar në total 24 kredite. Në të kundërt, kalimi nga njëri vit në tjetrin nuk do të jetë i mundur. Nxënësit do të vlerësohen me notë sipas formulës së mësipërme dhe notat do të ekuivalentohen me pikë sipas një tjetër formule. Sipas saj, Nr. i pikëve = (vlerësim) x (nr. e krediteve të lëndës) x (koeficientin e lëndës). Të gjitha lëndët kanë koeficientin 1, me përjashtim të lëndëve që i përkasin nivelit të avancuar (p.sh. Matematikë, Fizikë, Kimi, Letërsi etj. bazuar në Rregulloren Nr. 4998 të vlerësimit në gjimnaz, e cila është miratuar në korrik të vitit të kaluar kreditet e lëndëve përcaktohen në dy mënyra. Kreditet e lëndës jepen me anë të formulës, që përcakton numrin e orëve vjetore të një lënde dhe numrin e javëve të vitit shkollor përkatës. Përkatësisht, lënda e Biologjisë do tu japë mundësinë nxënësve të përfitojnë 2 kredite, Edukimi fizik 2, Gjeografia 2, gjuha e huaj e parë 3, Gjuha shqipe e Letërsia 3, Historia 2, Kimia 2, Matematika 3, Njohuri për shoqërinë 2, Teknologjia 1, ndërsa TIK 2. Një pjesë e mirë e nxënësve shfaqin pakënaqësi për këtë vlerësim. Për ta është lënë një tjetër alternativë. Kush nuk është i kënaqur me kreditet që përfitohen nga lëndët e kurrikulës bërthamë, do të kenë mundësi të zhvillojnë paralelisht edhe lëndët e avancuara, që do tu japin mundësinë gjimnazistëve për të fituar më shumë në raport me bashkëmoshatarët e tyre.
Kurrikula bërthamë
1 Biologjia: 2 kredite
2 Edukimi fizik: 2 kredite
3 Gjeografia: 2 kredite
4 Gjuha e huaj e parë: 3 kredite
5 Gjuha shqipe e letërsia: 3 kredite
6 Historia: 2 kredite
7 Kimia: 2 kredite
8 Matematika: 3 kredite
9 Njohuri për shoqërinë: 2 kredite
10 Teknologjia: 1 kredit
11 TIK: 2 kredite
Gjithsej 24 kredite
Kurrikula bërthamë
Sipas udhëzimit të MASH Për mbarëvajtjen e punës mësimore-edukative në sistemin e arsimit parauniversitar janë 10 lëndë që nxënësi ka zhvilluar në klasën e 10-të dhe që do të vlerësohen si lëndë të kurrikulës bërthamë. Pra do të kenë kredite Biologjia, Edukimi fizik, Gjeografia, Gjuha e huaj e parë, Gjuha shqipe e letërsia, Historia, Kimia, Matematika, Njohuri për shoqërinë, Teknologjia, TIK. Sipas udhëzimit, lënda Gjeografi 10 është e njëvlershme me lëndën Shkenca e Tokës në kurrikulën e re. Lënda Njohuri për shoqërinë 10 është e njëvlershme me lëndën Qytetaria në kurrikulën e re. Nxënësi i ka zhvilluar lëndët Gjuha shqipe e letërsia 10 dhe Matematika 10 me nga 4 orë në javë, por i njihen me nga 3 kredite secila. Në mënyrë që nxënësi të plotësojë lëndët e kurrikulës bërthamë të klasës së 10-të me 26 orë, duhet të japë një provim jo më vonë se fundi i muajit tetor 2010; 36 orë të një lënde nga fusha e arteve dhe 36 orë të një lënde nga fusha e aftësimit për jetën dhe karrierën. Nxënësi duhet të përzgjedhë ndërmjet pesë lëndëve të fushës së arteve dhe tri lëndëve të aftësimit për jetën. Kur nxënësi mbetet në njërën ose të dyja këto lëndë, i jep ato në provimin e vjeshtës 2011.
ZIRINA LLAMBRO