E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomatët: Integrimi në BE u takon qytetarëve

Gjatë takimit Ditë greke në UET

Ditë Greke në Universitetin Europian të Tiranës. Ky ishte takimi që u zhvillua dje, i organizuar nga Ambasada e Greqisë në bashkëpunim me UET. Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolaos Pazios, në fjalën e tij, pasi iu referua kushteve që duhet të plotësojë një vend për tu integruar në BE, theksoi se Greqia është përkrahës i vendosur i perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi gjithashtu se në Samitin e BE në Selanik në 2003 (Selanik 1), gjatë presidencës greke u hap rruga për perspektivën europiane të Ballkanit, ndërkohë që në të njëjtin drejtim po lëviz dhe nisma greke AXHENDA 2014.  I ftuar nga Ministria e Jashtme e Greqisë, drejtori i Drejtorisë  së Marrëdhënieve të Jashtme Europiane, ambasador Leonidhas  Rokanas dhe shefja e seksionit të Marrëdhëneve Ndërkombëtare dhe Shkencave Sociale të Universitetit Europian të Tiranës, Dr. Odeta Barbullushi, iu referuan në fjalën e tyre ecurisë europiane të Shqipërisë. Rokanas theksoi në fjalën e tij se vendi i  Shqipërisë është në BE, kur ajo të plotësojë kriteret respektive dhe se u takon qytetarëve të vendit, veçanërisht të rinjve, të realizojnë këtë objektiv. Greqia, theksoi ai, po përpiqet të rifokusojë vëmendjen e Europës në Ballkan, përmes nismës AXHENDA 2014 dhe presidencës greke në 2014, e cila do të përqendrohet në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE (Selanik 2). Sekretari i dytë i Ambasadës së Greqisë në Tiranë,   Evangjellos Colkas, foli mbi institucionet që ushtrojnë politikën e jashtme greke. Këshilltari i Komunikimit në Ambasadën e Greqisë në Tiranë, Alexis Georgiades, foli për politikën e Greqisë në fushën e turizmit (përparësitë, veprimtari promovuese, masat etj), ndërsa Sekretarja e shtypit, Florentia Kiorci, paraqiti disa video qe montoi vetë në lidhje me jetën dhe veprën e poetit grek, nobelistit Odiseas Elitis, me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Ne fund, drejtori i Përgjithshëm i Bankës Kombëtare Greke në Shqipëri foli mbi investimet greke në vend.
Ne ambientet ku u organizua aktiviteti u hap një ekspozitë fotografike me temë peizazhin grek dhe u shpërndanë fletëpalosje të Entit Grek të Turizmit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›