E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazistët përgatiten intensivisht për edicionin e parë të Festivalit të Shkencës

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Nxënës të shkollave të mesme publike në të gjithë vendin janë të angazhuar intensivisht në përgatitjet për pjesëmarrjen në edicionin e parë të Festivalit të Shkencës për gjimnazistë.

Ky aktivitet do të vendosë në garë potencialin e nxënësve të shkollave të mesme në nivel kombëtar në fushat e teknologjisë, shkencës dhe inovacionit.

“Festivali i Shkencës po merr formë ditë pas dite, duke i kthyer idetë në produkte dhe arritje”, shkruan ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ndërsa ndan foto të nxënësve që po përgatiten për këtë event.

Sipas saj, përmes punës në skuadër, potencialit krijues të nxënësve dhe mbështetjes e angazhimit maksimal të mësuesve, ky edicion i parë i Festivalit të Shkencës, me prezantime që reflektojnë pasionin e të rinjve për lëndët shkencore dhe nivele të larta dijeje, po hedh themelet e një tradite frymëzuese në shkolla dhe komunitete.

Përgatitjet për Festivalin e Shkencës kanë nisur që në muajin nëntor, me qëllim evidentimin e të talentuarve të shkollave të mesme publike në vend.

“Faza e parë nis shumë shpejt, ndaj përgatituni të shihni nga afër gjeni të vegjël, eksperimente, ide kreative dhe projekte që tregojnë sa shumë talent ka në bankat e shkollave tona”, u shpreh Kumbaro.

Puna për organizimin e festivalit ka nisur që në muajin nëntor nga Ministria e Arsimit, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia e Kurikulave.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›