Gjimshiti drejt largimit nga Atalanta, gati transferimi në Arabinë Saudite për 3 milionë euro

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, është pranë transferimit te klubi saudit “Al Diriyah”, pas marrëveshjes së arritur me “Atalantën” për shumën e 3 milionë eurove.
Sipas raportimeve të gazetarit Fabrizio Romano, marrëveshja është verbale dhe Gjimshiti pritet të firmosë kontratë deri në vitin 2028 me klubin saudit.
33-vjeçari largohet nga “Atalanta” pas një periudhe të gjatë me klubin italian, ku u transferua në janar të vitit 2016.
Gjatë aventurës së tij në Bergamo, mbrojtësi shqiptar u shndërrua në një prej figurave të rëndësishme të skuadrës dhe ishte pjesë e ekipit që fitoi Europa League në sezonin 2023-2024.
Transferimi tek “Al Diriyah” do të jetë eksperienca e parë e Gjimshitit jashtë Europës. Më herët ai ka luajtur në Zvicër dhe Itali.
Me këtë lëvizje, kapiteni i Kombëtares shqiptare nis një kapitull të ri në karrierë, në futbollin saudit.
/gj.m/j.p/r.e/