Gjini: Qeveria me politikat e mbrapshta po varfëron qytetarët

Seanca e sotme ka filluar me deklarimet e jashtë rendit të ditës, për të vazhduar më pas me shqyrtimin e disa projektligjeve.
Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në emër të grupit parlamentar, ka thënë se asnjëherë që nga paslufta nuk ka pasur zgjedhje të mirëfillta dhe ndryshimet që janë duke u bërë në Ligjin për zgjedhjet nuk përmirësojnë procesin zgjedhor.
“Në vendin tonë asnjëherë që nga viti 2000 s’kemi pasur zgjedhje të mirëfillta. U vodhën mandatet për kuvend. Ata janë po të njëjtit që ngrehin dorën që orkestroi masivizimin e votave. Këta nuk kanë nevojë të shohin kërkesat e qytetarëve. Këto vota po vjedhin çdo projekt të së ardhmes. Vjedhja e votave ishte shqetësim në Raportin e Progresit. Europarlamentarët vazhdimisht thonë se duhet të punojmë për reformën zgjedhore. Ajo çfarë ndodhi ishte marrëveshje e bërë brenda natës”, ka thënë Haxhiu.
Për më tepër ajo ka shtuar se me këto amandamente po tentohet t’u hidhet hi syve qytetarëve dhe Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, Teuta Sahatqija ka thënë se në kutit e deputetëve më 22 mars ka ardhur një shkresë ku thuhet se tema është për përfaqësim rajonal në dialogun teknik më 24 shkurt në Bruksel.
“E kemi marr me një muaj vonesë dhe e kemi marr një shkresë që në asnjë mënyrë nuk mund të quhet as si marrëveshje as si dokument zyrtar. Çfarëdo kontrate sado e thjeshtë e ka një memorandum, i ka palët, e ka nënshkrimet, datën dhe i ka obligimet. Kjo mënyrë e komunikimit me kuvendin që sillet në kuvend me vonesë apo në këtë formë nuk përngjan me asgjë zyrtare”, ka thënë Sahatqiija.
Deputeti ne emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me premtimin se do ta përmirësojë gjendjen sociale në të cilën gjendet populli.
Në vitin 2010 kryeministri ka premtuar rritje të pagave në arsim me pretekstin se donte ta zbuste gjendjen e rëndë sociale që, sipas Gjinit, qëllimi ishte blerja e votave dhe asgjë tjetër.
Sipas tij, kjo qeveri është duke e rënduar gjendjen sociale të qytetarëve, tash së fundi edhe me tendencat për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
“Qeveria e zgjedh edhe rregullatorin edhe bordin. Është qeveria ajo që po kërkon me rrit rrymën, taksat edhe automjetet e vjetra që ju kanë mbet. Tani ne prej kësaj foltore dojmë me pyet qeverinë a ju ka mbet edhe diçka për me i varfëru qytetarët. Këto janë politika të mbrapshta”, ka deklaruar Gjini.
Ndërsa deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi ka kërkuar themelimin e një komisioni parlamentar për hetimi e veprimtarisë së Shërbimit Informativ të Kosovës.
“Kjo kërkesë nuk i amniston shërbimet tjera informative. Ky hetim të sqarojë disa gjëra themelore të SHIK-ut, mbi cilën bazë legale veproi, cili ishte organogrami, struktura dhe hierarkia e këtij shërbimi, kush ishin punëtorët, si financohej, kush e financoj, pse, sa pare njerëzit morën, kujt i raportoi dhe si. Kush e mbikëqyri këtë shërbim, a krijoi dosje ky shërbim, për kë kërkoi, ku janë ato, a u shu ky shërbim dhe si u shu”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për mbledhjen e nënshkrimeve, 40 nënshkrime sa janë të nevojshëm për këtë çështje.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka adresuar një shqetësim për të zhdukurit, për mosekzaminimin e disa kufomave në një lagje të Mitrovicës dhe familjarëve të Izbicës.
Sipas tij, janë gjetur mbetjet mortore të 55 personave në Mitrovicë, por Departamenti i mjekësisë ligjore nuk ka bërë ekzaminimin për këto mbetje mortore.
Rendi i ditës ka vazhduar me shqyrtimin e disa projektligjeve, siç është edhe ai për Transmetuesin Publik të Kosovës. /Kosovapress/