VV: Kjo Serbi është si e kohës së Millosheviqit

Këto qëndrime i kanë paraqitur gjatë një konference për media, Shpend Ahmeti dhe Glauk Konjufca, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ata, gjithashtu, kanë kritikuar edhe qeverinë e Kosovës, për mos reagim ndaj arrestimeve të fundit të Serbisë.
Autoritetet serbe të rendit, dje kanë arrestuar, Hasan Abazin, kryetar i Sindikatës së Industrialistëve të Kosovës, i cili ishte nisur për në Kroaci dhe Adem Murseli. Abazi është arrestuar, nën dyshimet për “spiunazh” dhe bazuar në një fletarrest të lëshuar nga “gjykata e qarkut në Gjilan”, kurse Murseli për “tregti me drogë” bazuar në një fletarrest të lëshuar nga drejtoria e Policisë në Beograd.
Anëtari i kryesisë së Vetëvendosjeje, Glauk Konjufca ka thënë se arrestimet janë kryer me akuza të sajuara dhe fletarreste të gjykatave ilegale, duke thënë se me këto veprime Serbia po dëshmon se është po ajo e kohës së regjimit të Milloshoviqit.
“Rasti i Hasan Abazit tregon se kjo Serbi është ajo e Milloshoviqit. Për të qenë i arrestuar mjafton të jesh shqiptar. Ky arrestim po ndodhë vetëm pak ditë pasi që Serbia kërkoj nga Zvicra ekstradimin e ish- luftëtarit të UÇK-së, Shemsi Nuhiu. Ai iu dorëzua Serbisë sipas një urdhri për arrest se ka kryer krime në Kosovë në vitin 1999. Kjo është Serbia konstruktive dhe Serbia fqinjësorë, e negociatave të Qeverisë dhe të BE-së. Kosovës po i kushton shtrenjtë kjo politikë nënshtruese ndaj Serbisë, por faturën në këtë rast nuk po e paguan, as politika, as zyrtarët politik, por çmimin po e paguajnë qytetarët e Kosovës të cilët tash nga Serbia, po ndiqen edhe në vendet e perëndimit”, ka thënë Konjufca
Për më tepër, Konjufca ka thënë se Qeveria e Kosovës po pranon marrëveshje të njëanshme, me Serbinë, duke i lehtësuar kësaj të fundit afrimin për në BE, ndërkaq marrëveshjet po i bënë për hir të Serbisë. Sipas tij, të vetmit persona me të cilët Serbia nuk ka problem janë kryeministri Thaçi dhe kryenegociatorija, Edita Tahiri.
Ai ka thënë se Kryeministri Thaçi çdo ditë po e lutë, Boris Tadiqin për takime, ndërsa ky i fundit çdo ditë po e refuzon.
Ndërkaq, nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, ka thënë se me arrestimet e fundit, Serbia, edhe një herë, po e dëshmon se nuk e ka as lidhjen me drejtësinë, dhe për më tepër nuk ka ndryshuar aspak qasjen e saj ndaj Kosovës.
Vetëvendosje ka kritikuar gjithashtu qeverinë e Kosovës për mungesën e reagimit ndaj këtyre arrestimeve, të cilat ministri serb i punëve të brendshme, Ivica Daçiq, i ka cilësuar si “reciprocitet”.
“Nga të gjitha këto arrestime, asnjë fjalë e vetme nga Qeveria. Këta mund edhe të reagojnë sot, por Serbia e ka parë se me këtë Qeveri në Prishtinë nuk ka reagime të tilla. Nuk ka mbrojtje të qytetarëve të Kosovës prandaj nuk është çudi, që këto ditë të ketë edhe arrestime të tjera të shqiptarëve. Me këtë Serbi sot negocion kryeministri Thaçi dhe Edita Tahiri. Kësaj Serbie Qeveria Thaçi ia ka mundësuar statusin e kandidatit. Kjo Serbi e konsideron Kosovën si pjesë të saj dhe arreston qytetarët e saj në mënyrë arbitrare dhe për hakmarrje. Ndërsa, Qeveria Thaçi ia heqë Kosovës Republikën, ia vendos fusnotën e nesër ia shton edhe statusin special për veriun”, ka thënë Ahmeti
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe të pa kusht të të gjithë të arrestuarve dhe të të gjithë shqiptarëve të cilët janë arrestuar me akuza dhe fletarreste të cilat tentojnë ta kriminalizojnë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Ndërkohë, Vetëvendosje, edhe një herë, ka ripërsëritur kërkesën e saj që të mos zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, nga ana e Kosovës, ngase i konsideron të dëmshme.
Një ditë para këtij arrestimi, në pikëkalimin Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës kishte arrestuar katër serbë, nën dyshimet se kanë shkelur rendin juridik të Kosovës. Tek të arrestuarit, në mesin e të cilëve janë edhe punonjës të strukturave paralele serbe në Viti, autoritetet e rendit kanë gjetur material zgjedhor të Serbisë. (Kosovapress)