PE hedh poshtë fusnotën

Amendamenti i propozuar që Kosova në Parlamentin Evropian të përfaqësohet me fusnotë, është hedhur poshtë, ndërsa është miratuar amendamenti, që i bën thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar t’i inkurajojë sportistët nga Kosova, që të marrin pjesë në Olimpiadë.
Parlamenti Evropian (PE) në rezolutën e miratuar, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të BE-së që të shtojnë numrin e policëve dhe stafit civil në misionin EULEX në Kosovë, me arstytimin se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar Kosovën. Po ashtu PE u ka kërkuar pesë vendeve të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës.
"EULEX-i është vendimtar për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. Ne kemi nevojë për më shumë oficerë të policisë evropiane, gjykatësve dhe stafit civil në terren", ka thënë eurodeputeti dhe kryetari i Unionit Pan Evropian Gjerman, Bernd Poselt.
Në rezolutën e miratuar të enjten, deputetët evropianë janë shprehur të shqetësuar në lidhje me deklarimet e disa shteteve anëtare të BE-së për t'i tërhequr formacionet e tyre policore nga Kosova, ndërsa u është bërë thirrje këtyre shteteve që t’i rishqyrtojë vendimet e tyre.
"Çdo polic në Kosovë ndihmon stabilitetin e sigurt në Ballkan dhe parandalon përhapjen e krimit të organizuar në Evropë. Mbështetja më shumë për Kosovën, është në interes të vetë Evropës", tha Poselt.
Po ashtu, në rezolutën e hartuar nga eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, u është bërë thirrje Greqisë, Spanjës, Qipros, Rumanisë dhe Sllovakisë ta njohin shetin e Kosovës.
Parlamenti Evropian duke e mbështetur këtë rezolutë, gjithashtu u bëri thirrje për mirëkuptim pesë shteteve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin sa më parë shtetin më të ri evropian.
"Evropa ka nevojë për të ndihmuar demokracinë e re në Kosovë. Stabiliteti në Ballkan do të jetë i mundshëm vetëm me një Kosovë stabile. Është shumë e rëndësishme që të mos hapet një diskutim i ri i statusit, si dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës të gjitha shtetet anëtare të BE-së", tha Poselt.
Po ashtu në votim nuk u përkrah kërkesa e disa eurodeputetëve që të futet në emërtim fusnota, e arritur në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me të cilën Kosova do të përfshihet në nismat rajonale. Parlamenti Evropian, është i vetmi institucion i lartë i Evropës, që Kosovën e nje me emrin e saj shtetëror.
Ndryshe, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, në Kosovë është vendosur misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX, i cili ka rreth 1700 pjesëtarë, si oficerë policie, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të doganave, të cilët kanë për detyrë të mbështesin ndërtimin dhe zbatimin të ligjit dhe strukturat gjyqësore në Kosovë./Kosovapress/
PE: U miratua rezoluta për Serbinë
Në Parlamentin Evropian, me shumicë votash, është miratuar Rezoluta për përparimin e Serbisë në integrimet evropiane, në të cilën i bëhet thirrje Beogradit që të mos i shpallë zgjedhjet lokale në Kosovë.
Në Rezolutë, poashtu, kërkohet që Serbisë, “sa më shpejt që të jetë e mundur”, t’i caktohet data e fillimit të negociatave për pranim.
Në rezolutë gjenden edhe vlerësime pozitive për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, reformat e brendshme dhe përparimin e bashkëpunimit me rajonin. (REL)