E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Nëse Meta nuk bëhet kryeministër, krijon konflikte tek e majta

gjinushiSkënder Gjinushi, kryetari i Partisë Socialdemokrate, asnjëherë nuk e ka fshehur kundërshtinë e tij ndaj koalicionit me partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, por së fundmi ai ka treguar dhe ëndrrat në sirtar të Ilir Metës.

Duke folur në emisionin Airport të Anila Bashës, kreu i PSD-së tha se Meta nëse nuk bëhet kryeministër, krijon konflikte tek e majta shqiptare.

Gjatë bisedës, kreu i PSD-së e ka quajtur të pamoralshme dhe kërcënues faktin se LSI kërkon të diktojë marrëveshjen.

Është e pamoralshme që një parti pakice, qoftë me 4,5,7 apo 10 deputetë, të imponojë kryeministrin. Sepse po të marrim të abstragojmë që kemi një koalicion me një parti të madhe dhe tre të tjera që mund të plotësojnë 71 votat, dhe të gjitha vënë kusht kryeministrin, atëherë nuk qeveriset. Pra nuk ekziston ky lloj morali dhe parimi, tha Gjinushi, i cili pyetjes nëse e kishte fjalën për deklaratën e zotit Naço që Meta do të jetë kryeministër, shtoi se: Kjo do të thotë se mbështet fushatën vetëm mbi pazar elektoral… tregon një ambicie të fshehtë që fle gjithmonë te LSI. Ambicien Meta e ka treguar që me Nanon: që i thoshte o kryeministër, o ska. Dhe përplasja me Nanon kështu u justifikua.

Pikërisht për këtë arsye, Skënder Gjinushi ka ftuar elektoratin të votojë partitë që garantojnë që do të qeverisë e majta, që do ketë qeverisje të ndershme, luftë kundër korrupsionit dhe nuk do të ketë kriza artificiale.

Sipas kreut të PSD-së, e majta kurrë nuk ka humbur votën, por është djegur nga tekat e partive të caktuara, nga shitjet e deputetëve të caktuar, duke filluar nga Partia Agrare e duke përfunduar me LSI./l.ç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›