E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: PS rrezikon humbjen edhe në 2013

TIRANE- Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi deklaroi dje, në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në News 24 se “opozita bëri gabim që hyri në Parlament”. Ai kritikoi mënyrën se si PS po bën opozitë dhe tha se kështu mund të përsëritet humbja e vitit 2009-të.
Ju sulmuat z.Rama se nuk po ju përfaqëson për reformën zgjedhore. Përse? 
Sigurisht, ka probleme sa i takon reformës zgjedhore dhe mënyrës se si opozita po angazhohet në këtë reformë. Duhet kuptuar që BE nuk kërkon thjesht reformë zgjedhore. Opozita ka gabuar që ndërmerret një reformë zgjedhore në kushtet e një krize politike, pa u ndërmarrë edhe ndryshimet e tjera, korrupsioni, administrata e politizuar...etj.
Ku është faji i Edi Ramës?
I opozitës mbi të gjitha, i PS-së dhe pastaj edhe i Edi Ramës. Deformimi që sjell sistemi i quajtur spanjoll me zona që shkojnë nga 4 deri në 33 deputetë. Ky disproporcion është i papajtueshëm me sistemin dhe ky deformim është fiks si ‘Dushku’ për sistemin gjerman. Ne zgjedhim një sistem të gabuar, i cili bën që PS bashkë me ne të marrë më pak mandate dhe këto u hiqen aleatëve.
Aleatët e z.Berisha kanë sjellë më shumë vota dhe kanë marrë më shumë mandate?
Nuk kanë marrë ata mandate, sepse mori vetëm PDIUja dhe PR-ja. Ky sistem ka këtë: Të kesh vota në tërë Shqipërinë është më keq se të kesh vota vetëm në një zonë. 
Për humbjet tuaja elektorale ju fajësoni PS-në? Aleatët e z.Berisha morën më shumë vota se sa ju, aleatët e PS-së. Përse e kërkoni fajin te partia e madhe e koalicionit? 
Nuk po kërko  njeri të na shtojë votat. Kërkohet që të numëro hen votat siç duhet. Nuk e kemi thjesht vetëm për interesin e një partie. Ky deformim bën që të fitohet edhe pa fituar votë populli. Ne nuk e kuptojmë PSnë, të parën që nuk merr përsipër të mbrojë sistemin e pastër, aq më tepër të mos lejojë pabarazi në garë. 
E ka në dorë? 
E ka, si s’e ka. Kodi votohet me 3/5. Europa na ka mësuar të jemi konsensualë dhe ti (PS) po bën lëshime në një sërë reformash, ke hequr dorë nga të gjitha reformat dhe je reduktuar vetëm në një reformë zgjedhore dhe reformë parlamentare. Pas kësaj po reduktove që edhe zbatimi korrekt i sistemit varet nga Berisha, atëherë do të thotë që thuaji më mirë shqiptarëve që fati i zgjedhjeve në 2013-ës varet nga ky që është. Për ne, diferenca e dytë që kemi me PS është koncepti që kemi për krizën.
A mendoni se qëndrimi juaj në konferencë shtypi ishte qëndrim emocional? 
Jo, nuk ishte emocional. Ne e kemi deklaruar që në fillim. Ne po themi atë që s’thamë në 2008-ën. Prilli, një vit para zgjedhjeve është momenti ku PS gabon. Rama tha që ju bëtë reagim në tym... 
Nuk ka tym pa zjarr thotë populli, dhe problemi është ku është zjarri. Ne nuk do lejojmë që të bëjnë gabimin e 2009-ës me duart e veta. Ia thamë në 2008-ën në tavolinë dhe “Gazeta Shqiptare” ka nxjerrë një material konfidencial. E kemi thënë. Z.Rama ka thënë që nuk varet nga ne. Kjo është si ajo që më tha mamaja, ‘hajde për darkë sa për të larë gojën’. Nesër mund të dalë që defekti mund t’i bjerë edhe atij në kokë, por ti si opozitë, normale, nuk mund ta shpresosh, duke pasur fitoren e sigurt, një koalicion të fortë.
Si mund të zgjidhet kjo?
Një nga mënyrat është shkëmbimi i listave të përbashkëta: Të jap vota në tërë Shqipërinë, më jep në dy qarqe. 
Jua ka refuzuar z.Rama këtë? 
Nuk është hyrë akoma në terma, por shqetësimi është se ne kemi patjetër vërejtje edhe në të bërit opozitë. Pra, reforma zgjedhore është servirur si e vetmja zgjidhje për krizën shqiptare. 
Nëse edhe këtë opsion z.Rama e refuzon...? 
Nëse PS refuzon çdo lloj opsioni, do të thotë se janë më keq se para 2009-ës në mentalitet dhe gjithë ajo propagandë që u bë se e kuptuam se trenin e bëmë më të shkurtër, nuk varej nga numri i vagonëve, por varej nga lokomotiva. PD fitoi nga gabimet tona. Nëse në PS ka zëra që nuk kanë problem fitoren, por ndarjen e pushtetit dhe kërkojnë me çdo kusht një mazhorancë të PS, pavarësisht se nuk e marrin dot, patjetër që do përsëritet 2009-ta. 
Pra, do krijoni ju një grupim? 
Ne patjetër që do krijojmë grupim. Grupimi duhet edhe për të dalluar nga qëndrimet që ka PS. Gjithë lëvizjet tona do jenë që të kompensojmë gabimet e PS-së apo edhe fajet e PS-së Poli do krijohet. 
Po ky, do jetë i hapur për z.Topi? 
Flasim për të majtën, opozitën aktuale të majtë. Z.Topi ka rol tjetër, pozicion tjetër, e mirëpritur për demokracinë jo për ne. Është një çarje në PD. 
Ben Blushi tha se PS mund të fitojë e vetme 71 deputetë e më shumë. Ju si mendoni?
U tha kështu para 2009-ës dhe me këto mend hynë në zgjedhjet e 2009-ës dhe u zbatua kjo taktikë e reduktimit të aleancave dhe humbën. Pasi humbën u ndërmor lëvizja se dështuam pse s’e bëmë trenin e gjatë, pra se s’bëmë koalicion. Tani e njëjta situatë, pra, të shohësh ëndrrën e 71-të e vetme, është shumë keq. Kjo do të thotë që prapë të dështoj dhe unë të ndërmarr prapë një lëvizje kundër kryetarit. PS nuk merr dot asnjë mandat se sa votat e saj. Nuk ka asnjë variant që ne të marrim votat e PS-së. Aleatët vetëm të shtojnë. 
Çfarë të bëjë opozitë, të dalë në rrugë? 
Edhe ajo është opozitë. 
Të dalë nga Parlamenti...? 
Absolutisht gaboi me hyrjen në Parlament, sepse s’ka dhënë asnjë rezultat, sepse s’duhet të shërbejë hyrja si alibi. PS po bën opozitë shumë kadife, opozitë që ka hallin që të justifikojë se s’dështoi ajo por qeveria; patjetër që është edhe paaftësi. Roli i opozitës s’është të ndihmojë qeverinë të qeverisë. Ja ku ke Greqinë dhe Italinë. Për të përballur krizën, opozita greke nuk i dha pikën e ndihmës qeverisë, veçse nxirrte njerëzit në rrugë. 
Si ju duket afrimi i mundshëm me LSI-në për të votuar anëtarin e KLDsë? 
Ne merremi me ca lëvizje të vogla para problemeve të mëdha. Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje reale politike, për krizën politike, ekonomike, institucionale, për krizën e besimit, për treguesit e korrupsionit dhe të lirive të medias. Në këto kushte duhet një zgjidhje politike, një qeveri teknike që mund të garantonte ringritjen e gjithë rendit kushtetues. Kurse këto taktikat e vogla si rasti i KLD-së, janë vetëm tregues teknikë. Thonë ca se nuk fitohet pa LSI-në, por LSI duhet të jetë në opozitë. Ne themi që të fitojmë me çdo aleat që është kundër Berishës.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›