Gjinushi lëshon kushtrimin për revoltë popullore nga plenumi i vet i Beratit
Partia Sociaialdemokrate në inferioritet e sipër për rrezikshmërinë e shkrirjes së saj para zgjedhjeve të 2009-s, për efekt të mungesës së mbështetjes elektorale dhe politike në vend, ka filluar prej disa ditësh të tjerrë deklarata kërcënuese në drejtim të kabinetit qeveritar dhe kreut të ekzekutivit Berisha. Duke e ditur se partia e tij po shkon drejt degradimit moral dhe pa asnjë funksion politik, Skënder Gjinushi, po përpiqet të fitojë disi kapital politik nëpërmjet paraqitjeve mediatike dhe deklaratave të pavlera, në mënyrë që të tregojë një anë të tij të errët, atë të humanizmit të cilën nuk e gëzon dhe më kot përpiqet që t’u mbushë mendjen shqiptarëve mbi ndershmërinë e tij politike. Në këtë aspekt, ai po mendon të organizojë partinë informale të tij dhe t’u përgjigjet kërkesave të eprorit të PS-së, për të konkretizuar binomin që pritet të dështojë para ngjizjes, PS-PSD. Megjithëse, vendi përjetoi disa më parë një ngjarje të rëndë, që në njëfarë mënyre mund edhe të rrezikonte të gjithë atë investim dhe reformat politike të bëra me vite me radhë për të merituar anëtarësimin në NATO dhe mbas andej në BE, partitë e opozitës u dukën të bashkuara për një qëndrim të vetëm, atë të largimit të Kryeministrit Berisha nga qeveria, dhe zëvendësimin me kleptokracinë dhe avanguarditetin e opozitës të kryesuar nga PS. Partia e shkatërruar e Gjinushit, ku gjithkush mund të ushtrojë pyetjen më banale që mund të ekzistojë, se a ka elektorat kjo parti dhe sa mbështetje ka realisht në vend, megjithëse gjithashtu e ka të qartë se kjo parti në informalitet të plotë drejtohet nga një xhaketë e vjetër e politikës së shkuar komuniste, ish ministër i diktatutës proletaren maoiste dhe që ende vazhdon t’i kacavirret politikës shqiptare, Skënder Gjinushi mbetet një rrezik evident i modernitetin politik në Shqipëri. Janë pikërisht këto mbetje, njerëzore dhe materiale të diktaturës komuniste, që po rrezikojnë të ardhmen e vendit tonë dhe se po spekulojnë me një aksident që në të vërtetë ishte tragjik si në koston njerëzore ashtu edhe në koston ekonomike që shteti duhet të përballojë. Ai tha nga Berati, se Berisha është i pandryshueshëm dhe se rrëzimi i tij nga pushteti është e vetmja mënyre. Ai ka akuzuar qeverinë se ka bllokuar reformat dhe ka lulëzuar trafiqet, duke harruar se epokës së lulëzimit të trafiqeve i përket vetë Gjinushi me bandën e pamoralshme kleptokrate që për tetë vite me radhë nuk bënë gjë tjetër, veçse mbushën xhepat me lekët e taksapaguesve shqiptarë dhe nga trafiqet klandestine anembanë hapësirave detare dhe tokësore. Deklaratat e Gjinushit u bënë në konferencën e socialdemokratëve të Beratit. Edhe njëherë Gjinushi përsëriti kërkesën për largimin e Berishës nga qeveria. “Berisha është i pandryshueshëm. Te eksperimentosh Berishën është njësoj si të eksperimentosh një të dalë nga burgu nëse ka ndryshuar apo jo”, ka thënë Gjinushi duke shtuar se posti i kryeministrit nuk është për të parë nëse ka ndryshuar apo jo një njeri. “Posti i kryeministrit i jepet një njeriu që ka më shume vizion dhe mbështetje, atij që është njeriu më me vlera që ka shoqëria”, ka thënë më tej ai, megjithëse askush nga të pranishmit e pakët që ishin aty nuk iu drejtua që ti kujtonte atë qeveri dhe atë mazhorancë paraardhëse në të cilën bënte pjesë edhe xhaketa e vjetër e epokës moniste.
Leonard Quku
Leonard Quku