E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiri i Lalzit, ja KONFLIKTET që kishte gjyqtari Konomi

Nje harte e perafert e pronave qe i jane kthyer gjyqtarit te ekzekutuar

-Historia e plotë e pronës dhe trashëgimtarëve të saj

Pista kryesore për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi mbetet konflikti që ai ka pasur me kthimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Gazeta Tema ka investiguar palët në konflikt dhe procedurën e përfitimit të pasurisë në këtë zonë dhe ka ndeshur me pikëpyetje të mëdha, të cilat nëse vërtetohen si shkak i vrasjes, do të jenë shumë të vështira të na çojnë tek autori.

Cila është historia e pronës së Miltiadh Shallvarit?

Për sqarim të lexuesit, Miltiadh Shallvari është babi i gjyshes së Skerdilajd Konomit. Vajza e Miltiadh Shallvarit është Ariadhni Konomi, e cila është nëna e Fotaq Konomit, i cili është babai i Skerdilajd Konomit.

Trashëgimtarët ligjorë të Miltiadh Shallvarit janë Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani dhe Ariadhni Konomi. Prona e Miltiadh Shallvarit rezulton e regjistruar në vitin 1919 me emrin Çifliku Rushkull dhe Çiflik i Ri. Pas vdekjes së Miltiadh Shallvarit, prona e tij kaloi në emër të gruas së tij Sllava Maria Lubica, një grua italiane me origjinë sllave.

Në vitin 1940, Sllava Maria Lubica, pra gruaja e Miltiadhit, ka lidhur një kontratë emfiteoze me kompaninë italiane E.I.A.A., që janë pasqyruar në regjistrin hipotekor më 27 prill 1940.

Trashëgimtarët e Miltiadh Shallvarit, pra të bijat e tij, kanë ngritur padi në vitin 1943 kundër testamentit të tij, pra kundër faktit që ai i ka lënë trashëgimi gruas së tij italiane dhe ky gjyq që ka nisur në vitin 1943 ka përfunduar në vitin 1946 në favor të paditësve duke ja hequr pronësinë gruas italiane të tij dhe duke e pjesëtuar atë bashkë me paditësit. Pra, në vitin 1946 shteti komunist i ka hequr pronësinë shtetases italiane dhe ia ka ndarë pronën sipas pjesëve dhe pretenduesve të trashëgimisë që janë Jorgji Vevecka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani dhe Ariadhni Konomi, plus gruan italiane Sllava Maria Lubica. Por gjykata ka vërtetuar faktin se Miltiadh Shallvari e ka përfituar pronën nga babai i tij Kostandin Shallvari dhe si rrjedhim nuk ju njoh pjesa dhe gruas italiane. Në përfundim të këtij gjyqi, trashëgimtarët nuk kanë mundur ta regjistrojnë pronën se i ka kapur reforma agrare.

Mbi këto dokumente trashëgimtarët e rinj kanë nisur kërkesat për njohjen dhe kompensimin e pronës.

Agjencia e Kthimit të Pronave nuk ua ka dhënë pronën

Procedura e kërkimit të pronës në gjithë hallkat e institucionit të kthimit të pronës ka rezultuar e dështuar për trashëgimtarët e rinj. Fillimisht me një vendim i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës në gusht të vitit 2007 u ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Zyra Qendrore e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pasi ka shqyrtuar këtë vendim, pra vendimin 172 të datës 1 gusht 2007 të zyrës së Durrësit, e ka anuluar atë dhe e ka kthyer dosjen për shqyrtim. Në rishqyrtimin e saj në Qarkun e Durrësit është rrëzuar sërish kërkesa e trashëgimtarëve të rinj për këtë pronë.

Pretendimi i zyrave të kthimit dhe kompensimit ka qenë se prona rezulton e regjistruar në emër të Sllava Maria Lubica dhe pretenduesit nuk figurojnë askund.

Vendimi nr.52 i Gjykatës së Durrësit, i marrë më 2 mars 1946 nuk është transkriptuar në hipotekë dhe si rrjedhojë ska fuqi juridike.

Pra, trashëgimtarët e kanë humbur betejën me procedurën që u njihet dhe kompensohet prona nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Gjyqet e reja

Trashëgimtarët e rinj, Jorgji Veveçka, Sofia Kolea, Kostandin Mima, Evdhoqes Goxhomani dhe Ariadhni Konomi kanë nisur proceset gjyqësore kundër Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës shprehet në favor të tyre dhe njeh tri sipërfaqet e pretenduara të tyre, që në tërësi përbëjnë 28.993.100 metra katror ose afërsisht 2.900 hektarë.

Në gjithë këtë sipërfaqe trashëgimtarët kanë pasur dy probleme. Një problem me kufijtë e pronës së tyre me pronën e Toptanëve, trashëgimtarët e së cilës ia kanë shitur biznesmenit Zamir Mane, dhe pronën e Qoralijve, trashëgimtarët e të cilëve kanë hyrë në një plan biznesi me Zamir Manen. Por ky konflikt, nëse shikon historinë e gjyqeve, mbyllet pas Gjykatës së Apelit në Durrës, e cila ka rrëzuar fitoren e pronës në Gjykatë të Shkallës së Parë.

Gjykata e Lartë ka vendosur sërish në favor të trashëgimtarëve të rinj, por vendimi nuk është zbardhur akoma. Viktima Skerdilajd Konomi, sipas burimeve të gazetës, ka tentuar të fillojë procedurën e hipotekimit përmes një vendimi të shkurtuar të Gjykatës së Lartë dhe ka rezultuar se ka qenë nën tension nga ky veprim.

Komenti ynë

Nëse i hedh një vështrim të shkurtër historisë së kësaj prone rezulton se fuqia e provave për trashëgimtarët është e dobët dhe e diskutueshme, por sidoqoftë ajo vërtitet mes tyre dhe gruas italiane të stërgjyshit të tyre. Pronar de facto i sipërfaqes së lirë është shteti shqiptar dhe konflikti i mundshëm është mes trashëgimtarëve që pretendojnë pronën dhe kategorisë që kohët e fundit gjuan tokat shtetërore për ta blerë. Trashëgimtarët kanë pasur dy probleme, një me shtetin shqiptar dhe një me trashëgimtarët e Toptanëve, ose më mirë të themi me atë që i ka blerë më pas pronën Topotanëve. Ky konflikt nga sa shihet nga letrat dhe nga avokatët, konsiderohet i mbyllur pas shkalës së dytë kur trashëgimtarët kanë humbur gjyqin në Apel, të cilin e kanë rifituar në Gjykatë të Lartë. Pra nuk ka me konflikt mes trashëgimtarëve dhe blerësit të pasurisë së Toptanëve, që është Zamir Mane, pas Gjykatës së Apelit, por duhet të ketë pasur marrëveshje mes tyre.

Dyshimet tona, që bazohen në njohjen e fuqisë reale që ka pushteti mbi gjyqësorin, në këtë rast janë se përfaqësuesit të trashëgimtarëve i është treguar përmes vendimit të Apelit në Durrës se nuk e ka të lehtë ta fitojë gjyqin pa marrëveshje. Vendimi në favor i Gjykatës së Lart të lë shijen e një marrëveshje të trashëgimtarëve me njerëzit me pushtet. Vendimi është gati një surprizë në raport me pronarët e tjerë të Shqipërisë që nuk marrin dot as tokën që kanë të lirë. Urojmë që autori i vrasjes të gjendet dhe e vërteta të dalë pa na lënë të hamendësojmë për autorin e vërtetë që e kemi të gjithë në mendje.

Avokatët e çështjes, njerëz afër pushtetit

Avokatët e çështjes të trashëgimtarëve të rinj të kësaj prone janë njerëz me lidhje të forta me pushtetin. Flutura Kona, avokatja nga Durrësi, është vajzë e tezes së Monika Kryemadhit, kurse Erinda Ballanca, është bërë e njohur kohët e fundit si avokate e Sali Berishës. Ajo e ka përfaqësuar Berishën në procesin gjyqësor kundër tij nga Edi Rama për shpifje, si dhe në procesin gjyqësor kundër tij nga vëllezërit Dulaku për shpifje. Ajo po ashtu është shfaqur së fundmi dhe në çështje të tjera afër Familjes Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›