Letër e hapur e organizatave të shoqërisë civile: Të shkarkohet kreu i policisë bashkiake pas sulmit mbi dy gratë
Disa nga organizatat më të njohura të shoqërisë civile në vendin tonë i janë drejtuar me një një letër të hapur disa institucioneve shtetërore si dhe mbarë opinionit publik shqiptar duke marre shkas nga ngjarja e shëmtuar e ndodhur disa ditë më parë, në mjediset e Zyrave të Tatim-Taksave, Bashkia Tiranë, ndaj punonjëseve të tij.
Me anë të kësaj letre dënojmë ashpër dhunën fizike dhe psikologjike ndaj znj.Anila Çobani dhe znj.Etleva Duro, dy gra dhe dy punonjëse të Drejtorisë së Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, të cilat u rrahën në zyrat ku punojnë, nga drejtori i policisë bashkiake, z. Florenc Hoxha. Dhuna ndaj tyre e ushtruar nga një person në detyrë shtetërore është një skandal që shkakton indinjatë, revoltë, dhe dhimbje në të njëjtën kohë. Kjo sjellje barbare është krejtësisht e papranueshme në nivel njerëzor dhe etik, si dhe përbën shkelje flagrante të ligjeve në fuqi, thuhet në njoftimin për shtyp të këtyre organizatave. Më poshtë është letra e plotë
LETER E HAPUR
Z. Lulëzim Basha, Kryetar i Bashkisë Tiranë
Znj. Ina Rama, Prokurore e Përgjithshme e Shqipërisë
Znj. Irma Baraku, Komisonere kundër Diskriminimit
Znj. Florina Nuni, Zyra e Avokatit të Popullit
Z. Njazi Kosovrasti, Kryetar i Këshillit Bashkiak, Tiranë
Z. Arben Kau, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Tatim-Taksave
Znj. Alma Marku, Drejtore e Drejtorisë së Politikave të Shanseve të Barabarta (MPÇSSHB)
Në emër të shoqatave që përfaqësojmë, dhe si qytetarë e taksapagues të këtij vendi dënojmë ashpër dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj znj. Anila Çobani dhe znj. Etleva Duro, të cilat në datë 6 shtator 2011 janë rrahur teksa ishin në detyrë nga Drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, z. Florenc Hoxha. znj. Çobani dhe znj. Duro, në momentin e dhunimit kanë qenë të punësuara pranë Drejtorisë së Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës dhe ky dhunim i dy grave në vendin e punës përbën një dhunë të dyfishtë. Konflikti ka lindur për shkak të një pretendimi nga ana e z. Florenc Hoxha se znj. Çobani dhe znj. Duro ishin pushuar nga puna nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe se ato kishin refuzuar të largoheshin nga vendi i punës.
Dhuna e ushtruar ndaj dy punonjëseve publike nga një person në detyrë shtetërore shkakton indinjatë, revoltë dhe dhimbje në të njëjtën kohë. Sjellje të tilla barbare janë krejtësisht të papranueshme në nivel njerëzor dhe etik, si dhe përbëjnë shkelje flagrante të ligjeve në fuqi dhe akteve ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti shqiptar.
Është e papranueshme në Shqipëri dhe në vendet demokratike që punonjësit civilë të rrihen teksa i shërbejnë shtetit të tyre. Çdo formë e dhunës ndaj punonjësve publikë, por edhe çdo qytetari të këtij vendi, është e ndaluar me ligj. Po ashtu marrja në punë dhe largimi nga puna, si një marrrëdhënie kontraktuale midis palëve, rregullohet nga Kodi i Punës. Ligji në Shqipëri në asnjë moment nuk ka parashikuar Policinë Bashkiake si rregullator të zgjidhjes së konflikteve që mund të lindin në marrëdhëniet e punës.
Jemi thellësisht të shqetësuar që deri në momentin e bërjes publike të kësaj Letre të Hapur, asnjë nga drejtuesit e Bashkisë së Tiranës apo ndodnjë institucion tjetër qeveritar nuk kanë dënuar këtë akt të paprecendent. Dhunuesi vijon të punojë në të njëjtën detyrë si më parë dhe ndaj tij nuk është hapur asnjë hetim për ngjarjen.
Taksat tona duhet të përdoren për të mbajtur në këmbë një administratë publike, e cila na shërben dhe funksionon në bazë të ligjeve në fuqi. Taksat tona nuk mund të paguajnë për ti dhënë të drejtën një funksionari publik të rrahë dy punonjëse të Shtetit shqiptar për asnjë arsye e aq më për ti detyruar të largohen nga zyra ku punojnë, për sa kohë që ligji nuk i ka urdhëruar ta bëjnë këtë gjë.
Ngjarje të tilla, të cilat, për më tepër kalojnë pa asnjë reagim nga qeveritarët, i vënë shkelmin përpjekjeve për demokrarizim dhe emancipim shoqëror në Shqipëri dhe janë një grusht i rëndë për aspiratat e shoqërisë sonë për tu intergruar në Bashkimin Europian.
- I bëjmë thirrje organeve të policisë dhe të drejtësisë, që të nisin hetimin urgjent të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të vendosin para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.
- I bëjmë thirrje Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Lulëzim Basha, të shkarkojë menjëherë nga detyra z. Florenc Hoxha dhe shoqëruesit e tij, për sa kohë ata të jenë në pritje të vendimit të drejtësisë.
- I bëjmë thirrje drejtuesve të bashkisë së Tiranës të dënojnë publikisht dhunën ndaj dy punonjësve dhe të marrin masa për vënien në vend të dinjtetit të tyre.
- I kërkojmë zyrës së Avokatit të Popullit dhe zyrës së Komisoneres kundër Diskriminimit që të hetojnë këtë rast të rëndë dhune ndaj dy grave në vendin e punës dhe të ndërmarrin veprimet përkatëse.
- I bëjmë thirrje qytetarëve dhe grupimeve të shoqërisë civile shqiptare të protestojnë kundër veprimet prej xhelati të kryepolicit bashkiak Florenc Hoxha, duke i dërguar një mesazh kryetarit të bashkisë Tiranë në adresën www.tirana.gov.al, rubrika Shkruaji kryetarit – Lulzim Basha do të përgjigjet.
Diana Çuli, Forumi i Pavarur i Grave
Altin Hazizaj, Qendra Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve
Ani Ruci, Shoqata Refleksione
Brikena Puka, Qendra Vatra – Vlorë
Elsa Ballauri, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut
Elona Hoxha, Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin
Delina Fico, aktiviste për të drejtat e njeriut
Iris Luarasi, Qendra e Këshillimit për Gra dhe Vajza
Juliana Hoxha, Partners Albania
Kozara Kati, Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut
Mirela Arqimandriti, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
Monika Kocaqi, Shoqata Refleksione
Vjollca Meçaj, Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Valdet Sala, Eksperte për shoqërinë civile
Sevim Arbana, Në Dobi të Gruas Shqiptare
Fabiola Egro, Në Dobi të Gruas Shqiptare
Etleva Bisha, aktiviste për të drejtat e njeriut
Nevila Mataj, Punonjëse sociale
Teuta Shahu, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim