Rama: Duhet reformë parlamentare, nuk votojmë për ligje të arnuara
Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë një deklarate për shtyp pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, ka thënë se opozita do të paraqesë një draft për reformë parlamentare.
Është e domosdoshme reforma parlamentare për të kthyer konsensusin në parlament. Këtë javë do dorëzojmë draftin për ndryshimet parlamentare që janë kusht për të futur parlamentin në binarët e funksionimit të jetës parlamentare. Deputetët duhet të japin mendimin e tyre përara publikimit të tij në ditët në vijim, ka thënë Rama gjatë fjalës së tij.
Ai është shprehur edhe në lidhje me votimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave, duke thënë se PS nuk do të votojë ligje të arnuara.
Nuk do të votojmë ligje të paharmonizuara. Nuk votojmë ligje të arnuara si reforma. Vota jonë nuk do të shkojë për t’i hedhur hi syve Brukselit. Vota jonë do të shkojë vetëm më një platformë të qartë kombëtare, ka thënë Rama.
Kryesocialisti ka folur edhe për takimin me dy ministrat e Jashtëm, atë grek dhe italian, duke thënë se në takimin me ta është theksuar domosdoshmëria e një reforme urgjente parlamentare, që t`i japë opozitës në Parlament as më shumë e as më pak, sesa liritë e të drejtat që i janë mohuar nga shumica e sotme.
Kreu i opozitës është ndalur gjithashtu edhe në grevën e minatorëve, duke thënë se PS do të kërkojnë interplerancë gjatë seancës në parlament për këtë çështje, ndërsa ka thënë se opozita mbështet grevën e minatorëve dhe kërkesat e tyre.