E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiri i Meksikës: Nga fundi i detit 2 herë më shumë naftë nga sa mendohej

Kryeministri britanik solidarizohet me reagimet e ashpra të Shtëpisë së Bardhë

Rrjedhja e vazhdueshme e naftës në Gjirin e Meksikës që ka nisur që pas shpërthimit të platformës së BP në 20 prillin e kaluar është dy herë më e madhe nga sa mendohej deri më tani. Ky konkluzion vjen ndërsa David Cameron, Kryeministri i Britanisë së Madhe ka deklaruar se nuk do të nxisë qendrën financiare të Britanisë së Madhe që të mbështesë BP, kompaninë që shkaktoi tragjedinë ekologjike.

Vlerësimet e fundit flasin për një fluks të naftës nga fundi i detit që i kalon të 40000 fuçitë në ditë. Ekspertët e kanë akuzuar BP që ka bërë disa llogaritje shumë të gabuara për sa i përket sasisë së vërtetë të naftës që del vazhdimisht dhe sipas tyre këto përllogaritje të pakujdesshme që kanë fshehur të vërtetën kanë ndihmuar në vonesën e zgjidhjes dhe të përballimit të problemit. Ky lajm kërcënon një destabilizim të mëtejshëm të çmimit të aksioneve të BP që ranë ndjeshëm pas akuzave dhe qëndrimit të ashpër që mbajti ndaj kompanisë britanike Presidenti amerikan, Obama. Shefi i BP është thirrur me urgjencë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa zënka transatlantike vazhdon për shkak të kësaj situate shumë kërcënuese për Shtetet e Bashkuara. Në fillim të kësaj jave, Presidenti amerikan kërcënoi BP për sjelljen e papërgjegjshme. Që nga momenti i shpërthimit të platformës, çmimi i aksioneve të BP ka rënë me 40%. Kompania ka një lidhje shumë të madhe edhe me pensionet britanike dhe situata pritet që të rëndohet edhe më shumë. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së ka deklaruar se do të ndalonte BP nga dhënia e aksionerëve të pjesës së tyre prej 10 miliardë dollarësh muajin e ardhshëm. Sipas shumë ekspertëve të oqeanografisë BP ka eliminuar përpjekjet për të qetësuar dhe përmirësuar situatën duke dhënë shifra më të ulëta se ato në realitet për sa i përket sasisë së naftës së derdhur në det. Sipas tyre, BP ka bërë përllogaritje të gabuara dhe se pikërisht këto përllogaritje të gabuara do të bëjnë që kriza të zgjatet edhe më shumë nga sa mendohet dhe në det të derdhet një sasi shumë më e madhe nafte me pasoja gjithnjë e më të rënda. Boris Jonson, kryebashkiaku i Londrës është një ndër personazhet me profil më të lartë që ka kërkuar ndalimin e persekutimit të BP që është një nga kompanitë më të mëdha dhe më të pasura të Britanisë së Madhe dhe deri më tani një nga krenaritë e vendit. Sipas tij, nuk ishte e drejtë që firma të paguante një çmim kaq s të lartë financiar dhe reputacioni ndërkohë që bëhet fjalë për një aksident. Ka pasur në fakt edhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe figura të tjera të rëndësishme që kanë kërkuar një ndryshim të retorikës nga ana e Shtëpisë së Bardhë për sa ka ndodhur kjo, sepse tashmë kriza e naftës është shndërruar edhe në një krizë pensionesh për Britaninë e Madhe dhe kjo është një çështje që duhet që të shqetësojë edhe vetë qeverinë. Ndërkaq, kreu i qeverisë britanike ka shprehur mirëkuptim të plotë ndaj mënyrës me të cilën autoritetet amerikane po shprehen në lidhje me krizën në Gjirin e Meksikës dhe i ka bërë thirrje BP që të përdorë të gjitha asetet që ka në dispozicion për të ndaluar këtë katastrofë apo për të minimizuar dëmet.

Presidenti amerikan që është akuzuar për mosmarrje të situatës përsipër ka sulmuar ashpër verbalisht kompaninë britanike javën e fundit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›