Studim për përmirësimin e sistemit ujor të Prespës
Implementimi i projektit trepalësh për menaxhimin e integruar të ekosistemit të Prespës, ishte një nga temat që u diskutuan dje në një takim mes specialistwsh. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të uljes drastike të nivelit të ujit në Liqenin e Prespës. Konstatimi është bërë në fillim të viteve 1980, por vazhdon të jetë prezent edhe sot. Në dy-tre dekadat e fundit, ky nivel është pakësuar me rreth 8 metra, gjë që përbën një shqetësim të madh për të tria vendet, Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni, po të mbajmë parasysh se 8 metra është thellësia maksimale e Liqenit të Shkodrës dhe se kjo thellësi në Liqenin e Prespës është afërsisht 50 metra. Nën kujdesin e Universitetit të Tiranës, u zhvillua dje në sallën e senatit të Rektoratit të UT-së, seminari shkencor “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Ujërave Ndërkombëtarë: Liqeni i Prespës”, ku u paraqitën rezultatet e një studimi katërvjeçar nga profesorë shqiptarë, grekë, maqedonas dhe britanik, mbi Liqenin e Prespës. Veç t tjerësh, të ftuar ishin, kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, profesorë të Universitetit të Tiranës dhe të atij Politeknik. Studimi në fjalë ka nxjerrë rezultate shumëdisiplinore, duke treguar mbi rrezikun që i kanoset Liqenit të Prespës, nga rënia e nivelit të vazhdueshëm të ujërave. Rektori i Universitetit të Tiranës, e cilësoi si mjaft të rëndësishëm këtë studim. “Puna e ekipit të shkencëtarëve ka sjellë elementë të rinj që nga fusha e mjedisit dhe e mbrojtjes së ekosistemit, në arkeologji dhe hidrometeorologji” tha rektori Dhori Kule. Më pas, dy profesorët shqiptarë prof. dr. Sokrat Amataj dhe prof. dr. Molnar Kolaneci parashtruan rezultatet e studimit katërvjeçarë shumëdisiplinorë dhe me bashkëpunim mes katër shteteve.
Studimi“Në vet liqenin e Prespës, pakësimi i vëllimit total të ujit në liqen favorizon rritjen e përqendrimit në ujërat e tij të pesticideve, herbicideve e ndotjeve komunale që krijohen në veprimtaritë bujqësore, komunale e turistike të zonës. Kjo do të çonte në pakësimin e kapacitetit biologjik të sistemit, duke dëmtuar gradualisht florën dhe faunën e tij, si dhe veprimtaritë komunitare të peshkimit e turizmit, ndërkohë që shumë investime, që janë bërë në këta sektorë, shkëputen ndjeshëm nga liqeni e ndahen prej tij nga zona që dikur mbuloheshin prej ujërave të tij, tashmë të papërshtatshme dhe aspak atraktive për turizmin”, referohet nw studim. Sipas kwtij kërkimi, në një aspekt tjetër, proceset e degradimit të liqenit të Prespës mund të gjenerojnë një zinxhir pasojash në burimet sipërfaqësore të Tushemishtit, Drilonit, e Zagorçanit në territorin Shqiptar, si dhe të Shën Naumit, në territorin e FYRO Maqedonisë, apo dhe në burimet nënliqenore të Ohrit, me origjinë po nga liqeni i Prespës, që nuk janë studiuar ende. Këto burime, përveçse si atraksione turistike, përdoren në një pjesë të mirë të tyre edhe si burime uji të pijshëm, apo si furnizime për teknologjitë e industritë e zonës, kultivimin e peshkut, etj. Në një shtrirje më ekstreme të pasojave të procesit që ndodh aktualisht në Prespë, vet liqeni i Ohrit mund të ndikohet, në një periudhë më afatgjatë, e kjo të pasqyrohet edhe në basenin e lumit Drin, deri në liqenin e Shkodrës. “Së fundi, duhet kujtuar që sistemi liqenor Ohër - Prespë është unik për nga vlerat që ka në shumë drejime, jo vetëm për vendet tona e rajonin, po akoma më gjerë. Proceset që ndodhin aktualisht në njërën nga komponentet e tij, nuk mund të mos ndikojnë mbi këto vlera, duke rrezikuar një ekuilibër ekologjik të krijuar e vendosur qindra e mijëra vjetësh”, theksojnë shkencwtarwt.
Mjedisi“Dëshiroj të theksoj se rezultatet e punës suaj në këtë zonë janë të vlefshme dhe shpreh bindjen se strukturat shtetërore dhe ato të Ministrisë së Mjedisit do të gjejnë argumente të rëndësishme shkencore në orientimin e politikave shtetërore në funksion të mbrojtjes së Liqenit të Prespës”, tha Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu. Një tjetër aspekt i rëndësishëm për Liqenin e Prespës, sipas Mediut, është edhe vëmendja që i duhet kushtuar turizmit, i cili për momentin është pothuajse inekzistent. Prespa bën pjesë në listën e ekosistemeve ligatinore të vendit, e cila gëzon statusin e Parkut Kombëtar me një sipërfaqe prej 27.750 ha tokë. Gjithashtu kjo zonë, së bashku me Lagunën e Nartës dhe Liqenin e Ohrit, janë duke u vlerësuar për t’u përfshirë në listën ndërkombëtare të ligatinave, për të marrë statusin e zonës Ramsar.
#