27 ministrat e Jashtëm të BE-së, mbledhje për krizën shqiptare

Kriza politike shqiptare futet në axhendën e të mëdhenjve të Bashkimit Europian. Pas diskutimit nga nivelet e dyta dhe krerët e grupeve parlamentare, ditën e hënë 27 ministrat e Jashtëm të vendeve që përbëjnë Bashkimin Europian me në krye baroneshën Cathrine Ashton, shefen e diplomacisë së BE-së do të hartojnë një deklaratë të prerë për zgjidhjen e krizës shqiptare duke i dhënë një dimension më dramatik paralajmërimit të bërë me kohë nga krerët e Brukselit. Në axhendën e mbledhjes së Këshillit të Jashtëm që do të mbahet më 14 qershor në Luksemburg theksohet se “Për Shqipërinë, këshilli do të diskutojë për situatën politike në sfond të përpjekjeve lehtësuese të nismës së ndërmarrë nga krerët e dy grupeve parlamentare të PPE-së dhe PSE-së, Daul dhe Schulz, të cilët janë mbështetur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Cathrin Ashton dhe komisioneri Fule. Këshilli pritet të diskutojë dhe të mirëpresë rezultatet e takimit të nivelit të lartë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, më 2 qershor nën drejtimin e ministrit të Jashtëm të Spanjës, Moratinos. Ai gjithashtu bën thirrje për një angazhim të palëvizshëm të BE-së për perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në linjën e agjendës së Selanikut”. Axhenda e vënë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të 27 vendeve të BE-së i ka hedhur poshtë deklarimet e një pjese të përfaqësuesve të Tiranës zyrtare, të cilat sinjalet nga BE i kanë komentuar si “qëndrime personale. Vetëm dy ditë më parë Bashkimi Europian jo vetëm ka rënë dakord për një draft për krizën shqiptare, por ka bërë gati një ultimatum të qartë dhe të fortë që i bën të ditur Tiranës zyrtare se nëse nuk zgjidhet kriza politike atëherë do të ngrihen të gjitha marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, pra liberalizimi i vizave dhe statusi i vendit kandidat.
StrasburgTë enjten e shkuar, dy grupet kryesore në Parlamentin Europian, PPE dhe socialdemokratët, janë mbledhur për të shqyrtuar situatën në Shqipëri. Zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin, Victor Boshtinaru, tregoi se sipas informacioneve të tij, të majtët dhe të djathtët europianë kanë rënë dakord për një draft zgjidhjeje, gjë të cilën do ia propozojnë me telefon Tiranës. “Nëse do të arrihet një marrëveshje, atëherë dy grupet politike europiane do ta firmosin atë me dy liderët, Kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist, Rama. Por nëse këta dy liderë do të hedhin poshtë propozimin e Parlamentit Europian, nëse unë jam informuar mirë dhe besoj se e di mirë këtë situatë, të dyja grupet politike europiane vendosin të ngrijnë të gjitha çështjet me Shqipërinë, përfshi edhe atë për regjimin e lirë të vizave”, është shprehur Boshtinaru. Pyetjes se ky draft ishte marrëveshja mes PPE-së dhe socialdemokratëve europianë, apo u propozua nga Tirana, Boshtinaru, iu përgjigj: “Drafti është përpiluar nga dy grupet politike të Parlamentit Europian. Të dy liderët në Tiranë janë plotësisht në dijeni të përmbajtjes. Për mendimin tonë, ky draft është mjaftueshëm fleksibël për t'u pranuar nga të dy, por kjo varet nga vendimi që do të marrin të dyja partitë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin dhe pasojat për këtë marrëveshje”. Takimi ka qenë i fshehtë jo vetëm për median, por edhe për eurodeputetë të ndryshëm. Në këtë mbledhje, PPE-ja dhe socialdemokratët europianë janë përfaqësuar nga kryetarët dhe nënkryetarët respektivë, po thuhet se i pranishëm gjatë bisedimeve mbi Shqipërinë ishte edhe kreu i delegacionit për Ballkanin, Kukan. I pyetur mbi rezultatin e këtij takimi dhe pse mendonte se palët në Shqipëri mund të pranonin draftin e PE-së, Kukan tha se nuk mund të jepte detaje, por përsëriti mesazhin për marrëveshje ndaj të dyja palëve. “Po bëjmë ç'është e mundur nga ana jonë për të zgjidhur ngërçin politik, sepse kjo po dëmton vendin, po dëmton të ardhmen e tij dhe progresin drejt BE-së. Ne bëmë gjithçka mundëm dhe tani u takon atyre që të arrijnë marrëveshjen. Ne duhet t’i inkurajojmë e t’i shtyjmë ata me mirësjellje, që të arrijnë një marrëveshje dhe kaq, sepse ne deri tani s'kemi asnjë lajm prej tyre që të kenë arritur marrëveshje”, është shprehur Kukan.
#