E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjirokastër – Kontributet vullnetare në Sigurimet Shoqërore, interes i lartë nga emigrantët. Tejkalohet plani me 102%

Derdhja e kontributeve vullnetare në Gjirokastër ka arritur planin 102% nga janari deri në muajin gusht të këtij viti.

Enkeleida Shkurta, specialiste pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër, bëri të ditur se rritja e interesit të qytetarëve dhe veçanërisht e emigrantëve ka qenë një faktor kyç në këtë rezultat pozitiv.

“Do të thotë që pritshmëritë që kishim, janë të realizueshme. Interes më të madh kanë emigrantët, realisht, për arsye se kanë punuar X vite, për shembull 10 apo 12 vjet, dhe mundohen të bëjnë 15 vite për të plotësuar vjetërsinë në punë që të marrin një pension në Shqipëri,” shpjegon znj. Shkurta.

Ndërkaq, edhe të vetëpunësuarit në bujqësi tashmë janë një kategori që po përfshihet gjithnjë e më shumë në skemën e sigurimeve shoqërore.

“Të gjithë fermerët që kanë aplikuar kanë bërë pagesat dhe janë të rregullt. Është kontingjenti më i rregullt që ne kemi në skemën e bujkut privat. Pjesa tjetër janë sezonalë. Herë punojnë në bujqësi, herë në sektorë të tjerë punësimi,” thotë specialistja.

Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore po vijon aplikimin e shërbimeve edhe përmes platformës e-Albania, që u mundëson qytetarëve të kryejnë veprime online dhe të marrin informacion pa qenë e nevojshme të paraqiten fizikisht pranë sporteleve.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›