Ndalimi i telefonave në shkollë, prindërit e nxënësve në Kukës e shohin si hap pozitiv

Më 1 shtator të këtij viti Ministria e Arsimit nxori një udhëzim me masa konkrete për përdorimin e celularëve në shkolla. Ky ilustrim që ish-ministrja e arsimit, Ogerta Manastirliu, e paraqiti si risi në prag nisje të këtij viti shkollor, në fakt, ka disa vite që praktikohet në shkollat 9-vjeçare në vend. Sipas banorëve në Kukës ky vendim është më se i drejtë pasi kjo shmang shpërqendrimin e nxënësve gjatë orës së mësimit.
“Është shumë pozitive sepse telefoni po i lë fëmijët prapa”, u shpreh një prind.
“Është e drejtë, në orët e mësimit nuk duhen marrë telefonat”, tha një tjetër prind.
Këtë 8 shtator, kur nisi viti i ri shkollor, nxënësit, mund ta marrin me vete celularin në shkollë, nëse prindi e argumenton të domosdoshme, por gjatë orës mësimore duhet ta fikë ose ta vendosë në “airplane mode” për ta futur më tej në kutinë e posaçme në klasë.
Siç citohet në udhëzim, përdorimi i celularëve në klasë ul përqendrimin, dobëson kujtesën dhe aftësitë analitike të nxënësve, nxit sjellje të papërshtatshme dhe rrit rrezikun e bullizmit dhe dhunës, sidomos kur mungon kontrolli prindëror.
/rtsh.al/