E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gjirokastër, Universiteti “E. Çabej”, konsultime dhe praktika për studentët

Universiteti i Gjirokastrës është gati të mirëpresë studentët në auditorë, për të kryer leksione përgjithësuese apo dhe për të zhvilluar praktikat në laboratorë. Sipas rektorit Bektash Mema prioritet kanë ata të rinj që nuk kanë mundur dot të hyjnë në mësimin online, pa përjashtuar askënd tjetër që dëshiron të bëhet pjesë e tyre. Ky institucion akademik i ka të gjitha kapacitetet që njëkohësisht të zbatojë të gjitha masat mbrojtëse që parashikon protokolli i sigurisë.

“Do te krijohen mundësi që studentët të kryejnë konsultime në auditorë. Për këtë Rektorati i Universitetit “Eqrem Çabej” ka menduar që të gjithë ata  studentë që nuk kanë patur mundësi të marrin pjesë në mësimin online ose kanë marrë pjesërisht në të  janë të ftuar të vijnë pranë universitetit të zhvillojnë konsultime, që do të thotë leksione përgjithësuese, praktika profesionale pranë laboratorëve, ne terren, pranë institucioneve duke respektuar rregulloren antiCovid, masat higjeno-sanitare. Universiteti i ka marrë të gjitha masat për të siguruar grupe të vogla gjatë këtyre konsultumeve. Përsa i përket provimeve janë marrë masat që në sezonin e verës të zhvillohen të gjitha në auditorë. Ndërkohë, mësimi do të vijojë online, por do të ketë dhe një orar specifik për konsultimet dhe çdo student është i mirëpritur të vijë, pavarësisht se ka marrë pjesë apo jo. Qëllimi kryesor është që t’i japim rëndësi asaj kategorie që nuk ka marrë pjesë në mësimin online.” – sqaron rektori Mema

Për herë të parë në historinë e funksionimit të tij, gjatë këtij viti akademik, Universiteti “Eqrem Çabej” aplikoi edhe zhvillimin online të provimeve të sezonit të dimrit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›