E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, abuzimi me pronat, Ksera kallëzon në prokurori Grigov Tavon

Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, në emër të institucionit që drejton, ka depozituar dje në prokurorinë e rrethit një kallëzim penal ndaj shtetasit Grigov Tavo, që dyshohet për përvetësim të paligjshëm të truallit. Spiro Ksera, përfaqësuesi i qeverisë për rajonin jugor, ka deklaruar për mediat se kallëzimi penal ndaj Tavos vjen pas ankesave të disa banorëve të fshatit Jergucat, të cilët përmes dokumenteve të pronësisë, kanë treguar se rreth 25 mijë metra katror truall të tyre figurojnë me emrin e shtetasit Grigov Tavo në Zyrën e Pasurive të Paluajtshme. Është e papranueshme që 25 mijë metra katror truall, që shtrihet pranë rrugës kombëtare Jergucat-Qafa e Muzinës në drejtim të Sarandës, të figurojnë me emrin e një shtetasi, ndërsa banorët e këtij fshatit të mos përfitojnë asnjë metër katror, ka pohuar prefekti Ksera, sipas të cilit, depozitimi i kërkesës për kallëzim penal nuk ka si qëllim ndëshkimin e një shtetasi, por vendosjen përpara drejtësisë të të gjithë personave që kanë falsifikuar dokumentet zyrtare. Ky fakt është zbuluar fare rastësisht një muaj më parë nga banorët e fshatit Jorgucat, të cilët edhe pse disponojnë ligjërisht certifikatat e pronësisë për këtë sipërfaqe, nuk gëzojnë asnjë tagër përdorimi, për shkak të mbivendosjes së objektit në fjalë në Zyrën e Pasurive të Paluajtshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›