E Shtunë, 31 Tetor 2026

Max Payne, rebelimi i policit virtual

Një aksion-triller, që tenton të realizojë një lidhje ekstreme mes reales dhe ireales, i mbushur me mister, emocione dhe imazhe mbinatyrore mbërrin në ekranin e kinema Millennium. Max Payne tregon për një polic rebel në kërkim të hakmarrjes. Udhëtimi i Max ka një qëllim të qartë, të gjejë përgjegjësit e vrasjes brutale të familjes së tij por edhe të një kolegu. Nuk ka rëndësi nëse kjo do ta bëjë të përdorë çdo mënyrë e mjet dhe as të ndeshet me qenie të mbinatyrshme. Duke marrë formën e një personazhi që nuk ka çfarë të humbasë dhe që nuk ndjek rregullat, Max , do të jetë viktima e një tradhtie të pamenduar. Ai do të ndeshet me forca të fuqishme  që janë duke fshehur të vërtetën tronditëse që duan ta varrosin përgjithmonë.  Ideja e këtij antiheroi të etur për hakmarrje, koreografitë elegante dhe skenat aksion me slow-motion të bëjnë të mendosh menjëherë për natyrën kinematografike të ngjarjes, një prodhim me ndikime nga filmi i zi.
Në film Max Payne është interpretuar nga kandidati për Oscar, Mark Wahlberg, që ka punuar me Mila Kunis (Mona Sax, një vrasëse mafioze dhe e bukur), me Olga Kurylenko (vajza Bond ne Quantum of Solace, të shfaqur para disa muajsh ne Millennium, ndërsa këtu luan Natashën, motrën e vogël të Monës), me Chris "Ludacris" Bridges (detektivin e punëve të brendshme Jim Bravura) si dhe Beau Bridges. Në qendër të këtij filmi, që zgjat 100 minuta, është historia e një agjenti të policisë së Nju Jorkut, të cilit një grup kriminelësh, të varur nga droga e re Valkyr, i vrasin gruan dhe vajzën e sapolindur. Gjatë filmit Max Payne vendos që të marrë pjesë në Drug Enforcement Agency, dhe fillon një mision për të identifikuar bosin e familjes mafioze që kontrollon trafikun e Valkyr. Por, gjatë misionit ai akuzohet pa të drejtë për vrasjen e kolegut të tij, duke u gjendur kështu mes dy zjarresh, mafies dhe policisë. Megjithatë realizuesit janë përballur me sfida të forta në përpjekjen e tyre për të sjellë Max Payne në ekranin e madh. "Kur ke një histori  kaq të pranishme në një lojë, mendon se procesi i përshtatjes do të jetë i lehtë ", thotë  Yorn. "Por kur fillon të punosh zbulon se duhet të gjesh një mënyrë për ta bërë filmin të ndryshëm dhe të dallueshëm nga loja, duke respektuar në të njëjtën kohë stilin dhe shpirtin e veçantë që ai ka". Realizuesit dhe studio kanë vizionuar qindra subjekte, por kur skenaristi Beau Thorne arriti që të sillte një histori të besueshme të gjithë u befasuan. "Beau gjeti një sistem për ta bërë materialin më kompleks", shpjegon Yorn. "Jo vetëm që gjeti bagazhin emotiv të protagonistit por edhe krijoi një botë me hije dhe iluzione, me karakteristika të mbinatyrshme që nuk kanë qenë pjesë e lojës ".Subjekti i këtij filmi është frymëzuar nga videoloja Max Payne, e njohur në të gjithë botën që prej vitit 2001.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›