E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, mbërrijnë në atdhe trupat e familjes Gonaj

Kanë mbërritur në Shkodër, arkivolet e tre viktimave të tragjedisë së shpërthimit të gazit në rajonin e Firences në Itali, mëngjesin e së dieslës së shkuar. 37- vjeçarja Angjelina Gonaj dhe dy fëmijë e saj, Dorina dhe Dorjan Gonaj, janë kthyer në fshatin e tyre, por tashmë të pajetë. Këshilli i Qarkut të Shkodrës ka akorduar fondet për ceremonitë mortore si dhe kthimin e tyre nga Italia, vendi ku familja Gonaj kishte emigruar për të ndërtuar një jetë më të mirë, por që fati nuk ua mundësoi një gjë të tillë. Sekretari i Këshillit të Qarkut, Rudolf Rasha ka bërë me dije se trupat e Angjelinës, Dorinës dhe Dorianit do të priten nga familjarët e tyre dhe autoritetet lokale të Shkodrës. Fatkeqësia e familjes Gonaj në komunën Barberino ka prekur jo vetëm bashkëfshatarët në Vrakë, por edhe qarkun në përgjithësi duke qenë se ishin një familje me të vërtetë shqiptare dhe që kishin shkuar vetëm për të ngritur një jetë të re dhe arsimimtë fëmijëve. Rasha shtoi se Prefektura e Shkodrës dhe Këshilli i Qarkut të Shkodrës, për të respektuar këtë familje kanë marrë masa për organizimin e ceremonisë së pritjes, shërbimin e kësaj ceremonie, transportin etj. Kurse komuna e Gruemirës ka  marrë të gjitha masat për akomodimin e të huajve që do të vijnë me këtë rast, por edhe të shqiptarëve që banojnë atje dhe që kanë pasur dëshirën për të qenë prezent në këtë ceremoni mortore. Komuna Gruemirë, gjithashtu ka bërë gati rreth 1.5 milion lekë të vjetra në ndihmë ndaj familjes Gonaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e parë të mëngjesit të së dielëës së shkuar, ku si pasojë e shpërthimit të gazit humbi jetën nëna me dy fëmijët, ndërkohë që kryefamiljari, Gëzimi ishte nisur për në Shqipëri vetëm dy ditë më parë, pasi kishte humbur punën në zonën ku banonin. Fqinjët shqiptarë dhe ata italianë kanë treguar se familja që u përfshi në tragjedi përbëhej nga njerëz të respektueshëm. Gruaja punonte në një restorant pranë zonës, djali bënte pjesë në një skuadër futbolli me bashkëmoshatarë të tij, ndërsa vajza ndiqte një kurs baleti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›