E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, digjen 2 shtëpi të pabanuara nga zjarret

GJIROKASTËR- Dy shtëpi të pabanuara janë djegur si pasojë e zjarrit që ka përfshirë zonën në kufirin Shqipëri-Greqi në fshatin Pepel të Gjirokastrës. Mësohet se zjarri i cili gjatë paradites së sotme ka hyrë në territorin shqiptar, tashmë ka depërtuar dhe në pjesën e sipërme të fshatit duke kërcënuar banesat.

Në vendngjarje aktualisht janë 3 zjarrëfikëse nga Gjirokastra dhe dy të tjera kanë mbërritur nga Janina. Por ende flakët e zjarrit vazhdojnë të përhapen me shpejtësi për shkak të favorizimit nga era. Burime nga policia e Gjirokastrës bëjnë të ditur se vatra e zjarrit ka nisur përtej kufirit në territorin e shtetit fqinj, por si pasojë e erës ka vijuar të përhapet me shpejtësi në drejtim të tokës shqiptare.

Ndërhyrja e forcave zjarrëfikëse nuk ka shmangur dot përfshirjen nga zjarri të fshatit Pepel i cili ndodhet afër kufirit Shqipëri-Greqi. Ndërkaq vazhdon puna për lokalizimin e zjarrit dhe evakuimin e banesave të rrezikuara në fshat. Ndërkohë një tjetër vatër zjarri kërcënon banesat në fshatin Rrasthik të Mirditës. Flakët kanë përfshirë 1 hektarë tokë, ndërkohë që ka banesa rreth 600 metra larg vatrës. Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit, por nuk përjashtohet mundësia e një zjarrëvënie të qëllimshme.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›