Gjirokastër, kapet 10 kg mariuanë, 3 në pranga

Tre persona, dy prej të cilëve nga Kosova, kanë rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës pasi janë kapur me 10 kg mariuanë. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë operacionit të koduar “Dealers" janë arrestuar shtetasit Rinor Lila 20 vjeç, Blerim Zeqiri 22 vjeç, dhe Denis Fata 23 vjeç të cilët akuzohen për trafik droge.
Sipas policisë e kishin blerë drogën në fshatin Lazarat dhe do të udhëtonin në drejtim të Tiranës me destinacion përfundimtar Kosovën.
Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë bërë të mundur evidentimin e këtyre shtetasëve të cilët qëndronin në vendin e quajtur "Ura e Lumit" Gjirokastër , ku dy prej tyre kishin nga një çantë shpine sportive ndërsa njëri kishte një çantë dore dhe po prisnin autobuzin për të lëvizur në drejtim të Tiranës.
Nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve është bërë menjëherë bllokimi i çantave si dhe shoqërimi i shtetasëve që posedonin këto çanta dhe nga kontrolli i çantave është gjetur edhe sasia e drogës.