E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, vazhdojnë grabitjet në varrezat publike

Grabitësit mësyjnë në varrezat civile në Gjirokastër. Dhjetëra objekte kryesisht dekoracione të mermerta, metalike si dhe aksesorë zbukurues të varreve, janë vënë në qendër të grabitjeve nga persona të papërgjegjshëm. Edhe lulet kryesisht ato jo natyrale, kanë përfunduar në trastat e hajdutëve duke përfituar të holla nga rishitja e tyre. Mehmet Salaj, 43 vjeçar pohon për gazetën SOTse kishte hasur dekoracionet metalike që i ishin grabitur nga varri i të atit, të cilat shiteshin në hyrje të varrezave nga një person. Ky nuk është rasti i vetëm por ka edhe raste të tjera që shitësit e luleve artificiale, sapo u shesin njerëzve që vizitojnë varret e njerëzve të tyre, shkojnë në orët e mbasdites duke i rimarrë nga varret dhe i rishesin të nesërmen. Ky është një fakt tronditës dhe më tepër se abuziv, shprehen të pikëlluar njerëzit e thjeshtë të cilët shkojnë nëpër varreza çdo fundjavë për tu kujdesur tek varret e të afërmve të tyre që nuk jetojnë më. Gjatë ditëve të fundit dhjetëra linearë zinxhirë metalikë janë vjedhur ndërkohë të shumtë janë edhe ata qytetarë të cilët shprehen me shqetësim për grabitje dhe vjedhjeve të dekoracioneve metalike si dhe gërmat e emrave nëpër varret e të afërmve të tyre. Varrit të babait tim vazhdimisht i kanë hequr gërmat metalike si dhe një vazo prej bronzi në të cilën ne vendosnim lulet sa herë vijmë në varreza, thotë Mehmet Salaj. Në listën e objekteve të grabitura nga varrezat e Gjirokastrës janë edhe mbajtëset metalike të qirinjve, lulet artificiale që familjarët vendosin në varret e familjarëve të tyre etj. Vetë qytetarët shprehin dyshimet se këto objekte rishiten sërish apo përfundojnë për skrap. Sipas informacioneve që kam mbledhur vetë mendoj se gërmat e bronzta apo objektet e tjera metalike të vjedhura në varreza shiten për skrap, thotë një qytetar. Fenomeni i vjedhjes së varrezave nga persona të ndryshëm vazhdon të jetë fakt shqetësues për banorët e qytetit të Gjirokastrës gjatë viteve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›