E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministra e Mbrojtjes vendos largimin e bunkerëve nga bregdeti i Fierit

Qendra e zjarrit apo bunkerët, siç quhen ndryshe do të zhduken njëherë e përgjithmonë nga plazhet e Semanit, Darëzezës dhe Pishporos. Ka qenë një vendim i Ministrisë së Mbrojtjes, pas shumë kërkesave të bërë nga prefektura e qarkut Fier, ai që i ka dhënë mundësinë largimit të kësaj armate të frikshme që për vite me radhë është kthyer në makth për pushuesit. Sipas specialistëve në prefekturë janë rreth 80 bunkerë të vendosur në të gjithë brezin e tokës pranë vijës bregdetare, nga të cilët rreth 50 janë të mbuluar nga uji, pasi ndodhen në brendësi të detit. Vija bregdetare nga grykëderdhja e lumit Vjosë dhe deri në grykëderdhjen e lumit Seman do të pastrohet totalisht nga bunkerët, të cilët janë vendosur në këtë zonë që para viteve 1990. Ka qenë një kërkesë e kryekomunarëve të Dërmnasit, Topojës dhe Levanit ajo që na ka vënë në lëvizje dhe më pas kemi gjetur edhe mbështetjen tek Ministria e Mbrojtjes. Pas disa javësh bisedimesh me ta ramë dakord që forca të Ministrisë së Mbrojtjes së bashku me pajisje e makineri të zbarkojnë në bregdetin e Semanit e më pas në Darëzezë dhe Pishporo për të larguar fillimisht bunkerët që janë në sipërfaqen ranore të vijës bregdetare e më pas do të hyjnë në det për të larguar bunkerët që ndodhen në ujërat e detit, ka bërë të ditur drejtori i emergjencave civile në prefekturë, Viron Ballla. Edhe Prefekti Shahin Bejdaj ka pohuar se ky problem ka startuar zgjidhjen, pasi tashëm ka nisur puna për identifikimin dhe gjetjen e të gjithë bunkerëve, si dhe përpilimin e procesverbaleve përkatëse. Sipas prefektit Bejdaj, dita e hënë do të jetë edhe dita e nisjes së punës për largimin e bunkerëve të parë në Seman. Kemi marrë të gjitha masat për çmontimin e bunkerëve. Përveç specialistëve që ka vendosur në dispozicion Ministria e Mbrojtjes, edhe ne si prefekturë kemi siguruar burimet tona me qëllim që ta përfundojmë këtë aksion brenda një jave, ka vijuar Bejdaj. Bunkerët në këtë vijë bregdetare kanë qenë të vendosur në afërsi të detit, por me ardhjen e detit në brendësi një pjesë e mirë e tyre tashmë ndodhen nën ujërat e detit dhe paraqesin rrezik për pushuesit. Disa herë pushuesit janë ankuar  pranë njësive vendore, por këto të fundit kanë qenë të pafuqishme përballë këtij problemi duke ia deleguar atë institucionit të prefekturës. Ndërkohë, burime të brendshme të prefekturës bëjnë me dije se ky aksion i rëndësishëm ka edhe një kosto tepër të lartë dhe rrezikshmëri, por gjithsesi është një sfidë me të cilën duhet të përballen një ditë, pasi prania e tyre në zonën e rërës dhe në brendësi të ujit është një pengesë për pushuesit. Vite me parë, pushues të ndryshëm kanë gjetur vdekjen, ndoshta për shkak të pranisë së këtyre bunkerëve në det. Ndeshja e plazhistëve në rryma nënujore pranë bunkerëve u ka rrezikuar jetën. Këto rryma të fuqishme sipas specialistëve, i tërheq në brendësi të tyre pushuesit, kryesisht fëmijët që nuk e njohin rrezikun duke u shkaktuar edhe vdekjen.
Me largimin e bunkerëve nga vija bregdetare, pushuesit do ti kthehen plazhit, duke i rikthyer gjallërinë kësaj zone që prej vitehs duket se I ëshët zbehur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›