E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, zbardhet vrasja e vitit 1999, prangoset i riu nga Lazarati

Drini Aliko jetonte i lirë 10 vite pas vrasjes së kryer gjatë një konflikti me armë mes 2 bandave
Pas dhjetë vitesh kapet i dyshuari kryesor i një vrasjeje të ndodhur në qytetin e Gjirokastrës. Policia, në një aksion blic ka arritur të kapë në orët e vona të mbrëmjes së premte 31- vjetarin, Drini Aliko nga Lazarati. Ky i fundit, prej dhjetë vitesh qarkullonte si shtetas i lirë dhe i pakërcënuar nga organet policore dhe ato të drejtësisë për një ngjarje të ndodhur dhjetë vjet më parë, kur u godit për vdekje Besnik Ibrahimaj. Organet e policore sipas burimeve zyrtare, kanë mbledhur prova ligjore për të zbardhur vrasjen e ndodhur mesditën e 4 nëntorit të 1999 në lagjen Punëtori dhe prangosur autorin e këtij krimi. Pas grumbullimit të provave ligjore dhe dokumentimin e kësaj vepre penale, strukturat e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Seksionin e Parandalimit të Krimit  në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në orët e mbrëmjes së të premtes, zhvilluan operacionin e koduar Harresa për kapjen e autorit të dyshuar për këtë vrasje, u shpreh zëdhënësi Gentijan Mullai. Lazaratasi Aliko, është arrestuar në zonën periferike të Gjirokastrës në Virua rreth 3 km në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, teksa udhëtonte me një xhip Audi me targa GJ 0777 B në drejtimin jugor. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, atij iu gjetën pesë aparate celulari me gjithë karta, një sasi prej 32 mijë lekësh dhe 420 dollarë. Të gjitha këto prova së bashku edhe me automjetin, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Arrestimi i Alikos është kryer në bazë të urdhër-ekzekutimit të Prokurorisë së Gjirokastrës, lëshuar po ditën e premte. Aliko mendohet të jetë autori kryesor i vrasjes së ndodhur në vitin 1999, gjatë një përleshjeje me armë mes grupeve rivale nga kjo lagje e banuar nga komuniteti egjiptian (evgjitë) dhe disa të rinjve nga Lazarati. Këta të fundit janë konfliktuar me armë dhe fizikisht një ditë para vrasjes së Besnik Ibrahimajt me banorët e kësaj lagjeje për arsye ende të pazbardhura nga organet e drejtësisë. Një ditë më pas, viktima është goditur me armë zjarri, disa minuta pasi kishte dalë nga shtëpia. Në atë ditë, Gjirokastra u shndërrua në një arenë krismash mes grupeve rivale të zonave të lartpërmendura, por ndërhyrja e Policisë së Gjirokastrës, normalizoi situatën vetëm në orët e vona të mbrëmjes së 4 nëntorit, duke krijuar kordone me policë në zonën që ndan territorin e qytetit të Gjirokastrës me fshatin Lazarat për të eliminuar serinë e vrasjeve që mund të ndërmerreshin në shenjë hakmarrjeje. Sipas zëdhënësit të Policisë së Gjirokastrës, arrestimi i djeshëm  i Alikos është ndërmarrë në kuadër të zbardhjes së ngjarjeve të vjetra të rënda si vrasje, vjedhje më armë, vjedhje me dhunë etj., të ndodhura gjatë viteve 1997-1999.

Last Updated on Monday, 30 March 2009 15:10

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›