Gjirokaster,4 të plagosur pas një konflikti për motive të dobëta

Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në Gjirokastër. Katër persona janë plagosur me armë në fshatin Asim Zeneli gjatë një konflikti për motive të dobëta. Burime nga policia bëjnë me dije se në dalje të fshatit "Asim Zeneli" të Komunës Antigone, të rrethit Gjirokastër në një automjet tip furgon Sprinter me targa GJ 19 93 A, që drejtohej nga shtetasi Sokol Hysi 50 vjeç nga fshati Asim Zenel , ndodheshin të plagosur përveç drejtuesit të mjetit edhe tre shtetas të tjerë , të cilët janë transportuar me urgjencë nga ana e policisë për në Spitalin Rajonal Gjirokastër për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Sipas policisë, 24-vjeçari Erion Krisafi së bashku me shokun e tij Panajot Xharau 19 vjeç rreth orës 00.30 minuta kanë shkuar në afrësi të banesës së shtetasit Rakip Hitaj ,nga fshati Asim Zeneli por janë parë nga djali i këtij të fundit, Oskeol Hitaj 25 vjeç , i cila ka dyshuar se këta shtetas mund të kishin ardhur për të ngacmuar bashkëshorten e tij dhe ka marrë një armë gjahu teke automatike të cilën e kishte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të tyre ku i ka plagosur lehtë në këmbë.
Më pas i ka kapur të dy të rinjtë dhe i ka futur në banesë për t`i sqaruar, duke u marrë edhe kartën e identitetit dhe dokumentat e makinës dhe çelësat. Pasi janë sqaruar shtetasi Oskeol Hitaj i ka lënë këta persona të iknin në këmbë pasi makinën ua mbajti peng për të sqaruar situatën ditën e nesërme për çfarë arsye këta shtetas kishin shkuar atje. Të dëmtuarit pasi janë larguar disa metra nga banesa kanë kërkuar ndihmë tek shtetasi Sokol Hysi 50 vjeç, i cili së bashku me djalin e tij shtetasin Lato Hysi 22 vjeç , i kanë marrë të dy shtetasit e plagosur për t`i transportuar për në spital me automjetin furgon Sprinter me targa Gj 19 93 A.
Në dalje të fshatit, Oskeol Hitaj , u ka dalë përsëri përpara me një armë zjarri automatik Kallashnikov , duke gjuajtur me breshëri në drejtim të furgonit , ku nga plumbat e kallashikovit u plagosën përsëri në këmbë të dy shtetasit nga fshati Karjan si dhe u plagosën edhe drejtuesi i furgonit dhe djali i tij .
Sipas policisë shtetasit Panajot Xharau si dhe shtetasi Sokol Hysi pas marrjes së ndihmës së parë mjeksore janë transportuar për në Tiranë në Spitalin Ushtarak për ndërhyrje më të specializuar kirurgjikale. Ndërsa dy personat e tjerë konkretisht Erion Krisafi si dhe Lato Hysi ndodhen në Spitalin Rajonal në Gjirokastër jashtë rrezikut për jetën pasi kanë marrë plagë të lehta.
Nga veprimet e shpejta të policisë u bë e mundur sekuestrimi i armës së gjahut çifte, shpallja në kërkim e shtetasit Oskeol Hitaj i cili është larguar së bashku me armën e zjarrit dhe po punohet për kapjen e tij .Gjithashtu është bërë shoqërimi i të zotit të banesës në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarje.
Vijonë veprimet nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe për kapjen e autorit.