E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër,sekuestrohen 100 kg mariuanë

100 kilogram Mariuhane është kapur në kufirin shqiptaro- grek nga policia e Gjirokastrës ndërkohë që është prangosur nje student dhe janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë. Operacioni i koduar " Manastiri" është zhvilluar nga policia e Gjirokastrës në orët e para të mëngjesit të së shtunës në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek mund të transportohej një sasi lënde narkotike . Pas këtij informacioni nga ana e shërbimeve të policisë u konstatuan katër persona anës lumit Drino, në afërsi të fshatit Llongo , të cilët ishin të ngarkuar me çanta dhe po lëviznin në drejtim vijës së kufirit me shtetin grek. Menjëherë shërbimet e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, së bashku me shërbimet e Policisë Kufitare, u vunë në ndjekje të tyre ku rreth orës 00.30 në vendin e quajtur "Manastiri" fare pranë vijës së kufirit , u bë e mundur kapja e njërit prej tyre i cili ishte i armatosur me një armë zjarri tip kallashnikov dhe konkretisht Evaris Pasha, i datëlindjes 1990, lindur në Tepelenë dhe banues në Memaliaj, student në Universitetin "Eqerem Çabej"Gjirokastër , në vitin e parë , dega Infermieri. Bashkë me këtë person u bllokua dhe lënda narkotike e cila ishte e amballazhuar në pako cilindrike të mbështjella me letër natriban të futura në katër çanta të mëdha, gjithësej rreth 100 kilogramë. Personat e tjerë mundën të largoheshin duke përfituar nga errësira dhe terreni tepër i vështirë. Pas një pune të mirfilltë profesionale nga ana e Specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër u arrit të bëhej identifikimi i personave dhe po punohet për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tyre kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.Operacioni po vazhdon për kapjen e këtyre personave që mundën të largohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›