E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastritët të gjithë të betuar për të mundur Elbasanin

LuftetariThoma Qirjazi

Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime, njëkohësisht dhe presidenti i skuadrës së futbollit ka bërë një mbledhje paraprake me skuadrën në prag të ndeshjes me verdheblutë, atje ku i ka bekuar futbollistët dhe i ka uruar suksese

Kryendeshja e javës së dytë të kampionatit të Kategorisë së Parë, mes Luftëtarit vendës dhe Elbasanit, ka angazhuar të gjithë qytetin e gurtë e mbi të gjitha dhe skuadrën e Arjan Bellait për ta nxjerrë me sukses këtë sfidë. Seanca e fundit stërvitore e bluzinjve është bërë dje paradite, atje ku Bellai, për rreth dy orë, është marrë më tepër me anën fizike të ekipit, sepse e do më të freskët skuadrën.

Por për të qenë më të karikuar, skuadra ka pasur dhe një mbledhje-analizë me kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, që është njëkohësisht dhe presidenti i skuadrës dhe që është zhvilluar në ambientet e Bashkisë së qyteti. Një analizë në të cilën, përveç futbollistëve dhe stafit teknik, kanë marrë pjesë dhe mediat televizive lokale, si dhe gazetarët sportiv.

Dhe në këtë analize të para ndeshjes, Bime ka deklaruar: Në radhë të parë jam i kënaqur që ne kemi formuar një skuadër të denjë dhe të aftë për të pretenduar ngjitjen në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Jo vetëm kaq, por jam i kënaqur me prurjet e reja nga tregu i lëvizjeve të verës dhe si falënderoj ata lojtarë, të cilët pranuan që të veshin këtë sezon fanellën bluzi. Dhe në veçanti duhet të përshëndes Klodian Arbri, Gersi Arbrin, Dukën, Stojkoviçin, Rustemin dhe Hoxhën. Por nuk mund të harroj dhe futbollistët aktual dhe me shumë eksperiencë të Luftëtarit, të cilët ishin dhe pjesë e skuadrës sezonin e kaluar.

Të gjithë bashkë do të jeni ju protagonistët e këtij sezoni, të cilët do ta nderoni futbollin e qytetit tonë. Për fat kemi në krye të stafit teknik një trajner si Arjan Bellai, ndaj jam i bindur që Luftëtari do ti japi tonin kampionatit të Kategorisë së Parë e jo vetëm kaq, por dhe do të jetë në Superiore sezonin e ardhshëm. Ju garantoj se ana financiare nuk ka për të munguar, sepse jam i bindur se do të na nderoni, ka deklaruar fillimisht Bime, i cili ka pranuar se ka bërë mungesa në stërvitje, por gjithnjë me mendje ka qenë pranë skuadrës.

Ju duhet të merrni përgjegjësitë tuaja për këtë sezon dhe të mos harroni kurrë atë që keni premtuar në ditën e parë të fillimit të punës. Ndaj duhet të mendoheni mirë për çfarë keni premtuar për publikun. Unë them që futbolli nuk ka lidhje me politikën, ndërsa është diçka që i argëton të gjithë. Ndaj do tu kërkoja edukatë sportive në fushën e lojës me kolegët tuaj në radhë të parë dhe kundërshtarët. Duhet të ketë një disiplinë të hekurt në stërvitje, sepse duhet ta dini që ai që nuk zbaton rregullat e disiplinën në stërvitje do të gjobitet.

Ashtu sikurse do të ketë shpërblime për ata që do të impenjohen më shumë, nënvizoi Bime. Duket se ende nuk i ka ikur inati i sezonit të kaluar, teksa Luftëtari, nga një skuadër që pretendonte mezin e artë, ra në Kategorinë e Parë. Ndaj dhe ka paralajmëruar: Ne krijuam skuadër sezonin e kaluar që të ishte në mezin e artë. Mirëpo problemet dolën në fund, atje ku u ndërruan disa trajnerë, kurse tekniku u tradhtua nga futbollistët. Këtë herë jemi të angazhuar për tu ngritur në Superiore. Ndërkohë që në bashkëpunim me dy ministri do të bëjmë dhe ngritjen e Akademisë për nxjerrjen e talenteve, që në Gjirokastër nuk mungojnë.

Mendojmë që në sezonet e ardhshme 85 përqind e ekipit të jetë me lojtarë vendës. Sakaq jemi duke u marrë dhe me rregullimin e fushës së vjetër, në mënyrë që kushtet e stërvitjes të jenë të plota për ekipin tonë. Dhe duke përfunduar, Bime ka folur dhe për ndeshjen e sotme me Elbasanin. Duhet të jipni shpirtin e garës në fushës e lojës, sepse edhe duke qenë ndeshja e parë e këtij kampionati përpara publikut gjirokastrit duhet ta nxjerrim me sukses. Nuk duhet të harroni se përballë keni Elbasanin, një skuadër me tradita. Ndaj duhet të fitojmë, ka përfunduar Bime.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›