Flet veterani Bylykbashi: Nga Gjirokastra vijmë duarplot
Elbasani, të premten paradite, i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Luftëtarin, që do të luhet sot në Gjirokastër. Një stërvitje e ka zgjatur vetëm 50 minuta, teksa ka qenë gjithçka e lehtë për verdheblutë. Situata në kampin verdheblu, sidomos pas fitores me Tërbunin në javën e parë të kampionatit, është e mirë në prag të ndeshjes me gjirokastritët, kurse Filja ka në dispozicion 18 futbollistë prej të cilëve do të nxjerrë dhe formacionin më të mirë.
Dhe për të qenë sa më të gatshëm për ndeshjen me Luftëtarin, elbasanllinjtë janë nisur dje në Gjirokastër, teksa kanë kaluar dhe mbrëmjen në qytetin e ngurtë. Në prag të ndeshjes, për Gazeta e Sportit ka folur Dorian Bylykbashi. E vërteta thotë mesfushori i Elbasanit është se na pret një ndeshje e vështirë në Gjirokastër. Dhe për të dalë me rezultat pozitiv nga kjo sfidë ne kemi marrë masat tona. Është një ndeshje, e cila do të thotë shumë për ne. Ndaj dhe jemi stërvitur mirë gjatë gjithë javës, ndërsa impenjimi i futbollistëve për të dhënë më të mirën do të thotë shumë për ne.
Objektivi jonë është të kthehemi duarplot nga Gjirokastra, atje ku llogaris dhe një barazim, i cili do të na mbajë në krye të Kategorisë së Parë. E theksoj dhe një herë, është ndër ndeshjet më të vështira, edhe pse është java e dytë, sepse ata janë të motivuar dhe kërkojnë fitoren përpara publikut të vet. Por ne do të bëjmë surprizën.
