Gjithmonë i Barcelonës

Pep Guardiolas iu dha një lamtumirë emocionuese të shtunën mbrëma pas ndeshjes së tij të fundit si trajner i Barcelonës në Nou Camp. Strategu më i suksesshëm në histori të gjigantit katalan shprehu falënderimin e tij për mirënjohjen nga tifozët, por edhe mbarë klubi pas suksesit të jashtëzakonshëm në katër vitet nën drejtimin e tij.
“Kur e shihni stadiumin e mbushur përplot, ju nuk mund të mos jeni i kënaqur. Jam i lumtur dhe mirënjohës për mënyrën si jam trajtuar nga fillimi, kam një lidhje të ngushtë me klubin e cila do të zgjasë përgjithmonë”, tha Guardiola.
Ai lavdëroi edhe futbollistët e tij. “Nuk është lehtë ti lini këta futbollistë, këtë skuadër. Gjithmonë do ti mbaj brenda meje, nga i pari deri te i fundit. Të gjithë futbollistët që kam pasur më kanë ndihmuar të bëhem trajner më i mirë. Kam marrë shumë dashuri, dhe ata e dinë se i dua shumë”, shtoi ai.
Rëndësia e sistemit të rinjëve
Guardiola po ashtu foli për të rinjtë në sistemin e Barcelonës që kanë përforcaur dukshëm skuadrën gjatë këtij sezoni. “Ata kanë dhënë kontributin e tyre duke na ndihmuar shumë. Nuk është lehtë, por ata janë përmbushur pritjet. Kemi shënuar shumë gola këtë sezon, kemi pranuar shumë pak. Kjo është dëshmi se të gjithë e kanë kryer me sukses punën e tyre”, theksoi Guardiola.
Festë emocionuese
Lionel Messi realizoi të katër golat në fitoren 4-0 ndaj Espanyolit të shtunën dhe vendosi që atë të fundit ta festojë duke e përqafuar Guardiolën, gjest i cili u përsërit nga secili futbollist. “Jam shumë i kënaqur me gjestin e tyre. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e këtij klubi. I jam mirënjohës Leos për gjestin” tha ai.
Jeta do ta përcaktojë rrugën
Guardiola ishte shumë i qartë kur u pyet rreth mundësisë së rikthimit të tij në Barcelonë. “Ende nuk jam larguar dhe më pyetni se kur do të kthehem. Tija lejmë jetës të përcaktojë rrugën e saj. Ende nuk kam menduar për asgjë. Dua të bëhem anonim dhe të rikthej dëshirën për të punuar sërish”, deklaroi Guardiola.
Guardiola e falë Messin që ia ‘vodhi’ vëmendjen
Guardiola rezervoi lëvdata të veçanta për Messin. Rreth 89 mijë tifozë kënduan emrin e Guardiolës dhe valuan flamuj me mbishkrimin ‘Faleminderit, Pep’ kurse ishte argjentinasi ai që kompletoi festën duke shpërthyer me katër gola ndaj Espanyolit.
“Lionel më ka vjedhur vëmendjen gjatë gjithë sezonit, por nuk mund të jem xheloz. Shpresoj që ai të vazhdojë të luajë kështu edhe në të ardhmen. Nga ana ime jam munduar ti ndihmoj sa më tepër që kam mundur, por pa dyshim edhe ai më ka ndihmuar mua të bëhem trajner i nivelit të lartë dhe të përmirësohem”, përfundoi Guardiola.