Zgjedhjet serbe në Kosovë - pa probleme të mëdha

Zyrtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë, kanë thënë se do t’iu mundësohet votimi të gjithë atyre që janë duke qëndruar në radhë për të votuar.
Të 90 vendvotimet në 28 lokacione janë hapur në orën 8:15 të mëngjesit.
Zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë, Nikolla Goan i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka pasur informacione se njerëzit në disa raste janë ankuar për shkak se emrat e tyre nuk kanë qenë në listat e votimeve.
Por, sipas tij, kjo ka qenë përgjegjësi e Komisionit Zgjedhor të Republikës së Serbisë.
“Lidhur me këtë çështje, ne nuk kemi mundur të bëjmë më shumë, sepse të gjitha materialet për votim të cilat i përdorim kanë ardhur nga Komisioni Zgjedhor i Republikës së Serbisë”, tha Goan.
Votimi mësohet se po rrjedh normalisht edhe në veri të Kosovës, përkatësisht në 13 lokacione atje.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë theksuar se pjesëtarët e kësaj policie janë të pranishëm në çdo lokacion.
Në orët e pasdites në veri të Kosovës janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, por policia nuk ka arritur të lokalizojë vendin se prej nga është shtënë dhe të identifikojë personat e mundshëm të dyshimtë, raportojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se patrullat e Policisë së Kosovës janë në terren, për të parandaluar çfarëdo incidenti.
“Është e vërtetë dhe mund ta konfirmoj se janë dëgjuar disa të shtëna, të cilat nuk kanë ndikuar absolutisht në situatën e sigurisë. Kemi dërguar të gjitha njësitë patrulluese në kërkim të lokacionit të mundshëm prej nga janë dëgjuar këto të shtëna, mirëpo nuk kemi arritur që ta identifikojmë lokacionin”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, të shtënat kanë qenë në ajër dhe policia nuk ka evidentuar kudo qoftë që të jenë shkaktuar dëme materiale apo viktima në njerëz.
Gjithashtu, ai ka thënë se në polici nuk ka arritur asnjë ankesë lidhur me këto të shtëna.
Të shtëna sporadike në veri të Kosovës janë dëgjuar derisa serbët lokalë po kremtojnë të ashtuquajturën “Festa e Shën Gjergjit”.
Ndryshe, zgjedhjet serbe në veri të Kosovës kanë kaluar të qeta.
Por, Kërstimir Pantiq, kryetari paralel i Mitrovicës ka thënë se janë vërejtur disa probleme me listat zgjedhore, dhe ka kritikuar OSBE-në për, siç ka thënë ai, organizim jo të mirë të zgjedhjeve.
“Është fakt se një numër i madh i qytetarëve nuk janë përfshirë në listat e votuesve dhe se ka mjaft probleme”, ka thënë Pantiq.
Në anën tjetër, pavarësisht kundërshtimeve të institucioneve të Prishtinës, atyre ndërkombëtare dhe vërejtjeve të Beogradit, në Zveçan dhe Zubin Potok, janë duke u mbajtur edhe zgjedhjet lokale serbe.
Por, ato mbahen në ambiente larg atyre ku mbahen zgjedhjet e organizuara nga OSBE-ja.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryetari paralel i Zveçanit, Dragisha Milloviq.
“Pa probleme kanë nisur edhe votimet për zgjedhjet lokale. Do të thotë, në këto votime nuk ka vëzhgues të OSBE-së”, ka thënë Milloviq.
Ndërkaq, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb, e ka quajtur fitore të serbëve mbajtjen e zgjedhjeve lokale në dy komunat në veri të Kosovës, për shkak se, sipas tij, ato janë mbajtur në në kuadër të sistemit kushtetues të Serbisë dhe sipas ligjeve zgjedhore të Serbisë.
Ai e ka vlerësuar si të lartë pjesëmarrjen në votime të qytetarëve për zgjedhjet lokale.
“Pjesëmarrja në votimet për zgjedhjet lokale në Zveçan dhe Zubin Potok është shumë e mirë, kështu që sigurisht që në Zubin Potok kjo do të jetë mbi 60 për qind , ndërkaq, në Zveçan me siguri se do të jetë mbi 50 për qind. Është e dukshme që populli nuk e ka dëgjuar pushtetin”, tha Ivanoviq.
Ndryshe, Policia e Kosovës pati paralajmëruar se ka plan të detajuar për parandalimin e zgjedhjeve lokale të Serbisë, në Zubin Potok dhe Zveçan.
Por, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë kanë qenë dy opsione lidhur me faktin se si do t’i qaseshin çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve lokale në dy komunat në veri të Kosovës.
Njëra ka qenë reagimi për t’i ndaluar ato, dhe mundësia e dytë ka qenë që ato të injorohen.
Është e dukshme që Policia e Kosovës ka zgjedhur opsionin e dytë.
Sido që të jetë, për mbikëqyrjen e zgjedhjeve serbe presidenciale dhe parlamentare në Kosovë kanë qenë të angazhuar rreth 500 shërbyes të OSBE-së, të cilët kanë përcjellë votimin qytetarëve serbë, 109 mijë prej të cilëve kanë qenë me të drejtë vote.
Deri në 14:00 kanë votuar 17% e serbëve
Zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, me mision në Kosovë, Nikolla Goan, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se deri në orën 14 kanë votuar 17 për qind e votuesve në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë.
Me të drejtë vote janë 109,000 qytetarë serbë të Kosovës.
"Votimi po zhvillohet në mënyrë të qetë. Nuk ka pasur incidente për të cilat jam njoftuar", ka thënë Goan.
Procesin e zgjedhjeve serbe në Kosovë po e përcjellin rreth 500 shërbyes të OSBE-së.(rel)
Flamuri i Serbisë në qendrat e votimit
Përkundër paralajmërimeve të Misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili organizon zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë për serbët në vend, se në qendrat e votimeve nuk do të ketë simbole serbe, ato janë parë në disa prej këtyre qendrave, raporton Kosovapress.
Një burim i kësaj agjencie ka bërë të ditur se në qendrën e votimit në shkollën fillore “Sveti Sava” në veri të Mitrovicës, pranë shenjës së OSBE-së ka qenë i vendosur edhe flamuri i shtetit të Serbisë.
“Flamuri serb është shpalosur në mëngjes edhe në Zubin Potok në shkollën fillore ‘Jovan Cvijiq’, por që pas një ore është hequr”, ka thënë burimi.
Ai më tej ka shtuar se pjesëtarët e OSBE-së në Zubin Potok janë në dijeni për mbajtjen edhe të zgjedhjeve lokale nga serbët e këtushëm, por janë duke i injoruar ato.
Po ashtu edhe në qendrën e votimit në Graçanicë, pranë flamurit të OSBE-së, është i vendosur edhe ai i Serbisë.
Pjesëmarrje e lartë në Graçanicë dhe Llapna Sellë
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer, ka vizituar vendvotimet në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku pjesëmarrja e qytetarëve serbë në zgjedhjet e Serbisë thuhet të jetë e lartë.
“Gjithçka po zhvillohet në mënyrën më të mirë. Njerëzit votojnë. Kur kemi arritur në Graçanicë, ka pasur disa votues; kur jemi kthyer, ka ardhur një grup i tërë. Në Llapna Sellë ka pasur tollovi para vendvotimeve”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i misionit të OSBE-së, Nikolla Goan.
Po nga ky mision thonë se, deri më tash, nuk janë shënuar raste të votimeve për zgjedhjet lokale të Serbisë, në lokacionet ku po mbahen ato parlamentare dhe presidenciale.
“Ne e kemi bërë të qartë se çdo përpjekje për të organizuar zgjedhjet lokale në lokacionet ku OSBE-ja mundëson votimet për parlamentin dhe presidentin e Serbisë, do të paraqiste shkelje serioze të marrëveshjes. Dhe, deri të një situatë e tillë nuk ka ardhur”, ka thënë Goan.
Rreth 109,000 qytetarë serbë të Kosovës kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, që po lehtësohen nga OSBE-ja. (rel)
Policia me dy opsione për zgjedhjet lokale serbe
Nga Policia e Kosovës në Mitrovicë kanë thënë se nuk kanë vërejtur organizim të zgjedhjeve lokale serbe në veri, ndonëse autoritetet e rendit nuk janë të njoftuara se ku saktësisht mund të mbahen.
“Ne kemi dy opsione – ose do të reagojmë dhe do të ndalojmë mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ose do t’i injorojmë plotësisht si ngjarje inekzistente – varësisht nga situata”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
“Është e rëndësishme që në vendet e ligjshme, ku është OSBE-ja – nëse aty ka përpjekje për të mbajtur zgjedhjet lokale, atëherë ato vendvotime do të mbyllen dhe procesi do të shpallet i përfunduar”, ka thënë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Në bazë të marrëveshjes me OSBE-në, në disa pjesë të Kosovës sot mbahen vetëm zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
Megjithatë, disa përfaqësues ilegalë të serbëve kanë thënë se lokalet do të mbahen edhe në Zubin Potok dhe Zveçan, me gjithë vërejtjet e Beogradit. (rel)
Serbët e veriut po votojnë edhe në nivelin lokal
Votimet presidenciale dhe parlamentare serbe në veri të Kosovës kanë filluar kryesisht me kohë dhe nuk ka pasur ndonjë incident, apo parregullsi.
Në veri të Mitrovicës ato janë duke u zhvilluar në shkollën e mesme teknike “Mihajllo Petroviq Allas” dhe në shkollën fillore “Shën Sava”.
Burime të Kosovapress-it nga veriu bëjnë të ditur se në Zveçan qytetarët kanë filluar të votojnë edhe në nivelin lokal.
Sipas këtyre burimeve, këto zgjedhje janë duke u mbajtur në objektin e shkollës së mesme në Zveçan, pastaj në vilën “Jelen” në Zherovnicë, si dhe në një shtëpi private në fshatin Rudare.
“Në rast të identifikimit nga ana e ndërkombëtarëve të këtyre vendeve, zgjedhjet lokale do të vazhdojnë në objektet rezervë për të cilat do të informohen menjëherë votuesit”, kanë thënë burimet.
Mësohet se edhe në komunën e Zubin Potokkut janë duke u zhvilluar zgjedhjet lokale, por akoma nuk është arritur të identifikohen vendvotimet, për shkak se strukturat paralele kanë ndryshuar gjatë natës strategjinë e tyre.
Ndryshe, përfaqësues të komisioneve zgjedhore komunale në dy komunat veriore të vendit, Zveçan dhe Zubin Potok, kanë vendosur që për shkak të mos rrezikimit të procesit të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare, zgjedhjet në nivelin lokal t’i mbajnë në hapësira tjera nga ato në të cilat do të mbahen zgjedhjet për kryetar dhe deputetë të Serbisë.(Kosovapress)
Votimet serbe, nuk ka incidente
Policia e Kosovës ka njoftuar se sa i përket aspektit të sigurisë, nuk është shënuar asnjë incident në asnjë lokacion të Kosovës, ku po mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, raporton Kosovapres.
Zgjedhjet serbe në Kosovë janë duke u mbajtur në pesë rrethe, ndërsa misioni i OSBE-së në Kosovë, organizon zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, por nuk ka mbështetur ato lokale.
Sipas zyrtarëve të këtij misioni, votimet janë hapur kryesisht më kohë dhe nuk ka pasur ndonjë incident, apo parregullsi, përveç disa problemeve teknike.
Ndryshe, sot në Serbi janë duke u mbajtur zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe ato të pushtetit lokal.
OSBE hapë të gjitha vendvotimet për serbët
Të gjitha 90 vendvotimet e OSBE-së në Kosovë janë hapur sot deri në orën 08:15.
“Kam kënaqësinë të raportoj se të gjitha 90 vendvotimet në 28 lokacione janë hapur këtë mëngjes”, ka thënë shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer.
“Kishte pak vonesa të natyrës teknike në disa lokacione, por të gjitha tash janë zgjidhur”, ka sqaruar ai.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka mundësuar që qytetarët serbë të Kosovës të ushtrojnë të drejtën për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
Serbia voton në zgjedhjet e përgjithshme
Serbia, në orën 7 të mëngjesit, ka hapur vendvotimet, në të cilat 6,770,013 qytetarë me të drejtë vote do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhje të përgjithshme.
Ata do të zgjedhin 250 deputetë të Parlamentit të ri Republikan, 120 deputetë të Kuvendit të Vojvodinës, përfaqësues dhe këshilltarë komunalë, si dhe presidentin e vendit.
Në mesin e 12 kandidatëve presidencialë janë Boris Tadiq dhe Tomisllav Nikolliq ata që thuhet se kanë më shumë gjasa për t’u përballur në balotazh.
Megjithatë, analistët thonë se kampi pro-evropian i Tadiqit ka më shumë shanse se blloku nacionalist i Nikolliqit të formojë koalicionin e ri qeverisës.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve pritet të publikojë rezultatet finale të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në afat prej 96 orësh nga mbyllja e kutive të votimit, por deri atëherë do të dalë me rezultate preliminare.
Në bazë të marrëveshjes me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, qytetarët serbë të Kosovës do të votojnë për presidentin dhe parlamentin e Serbisë.
Të drejtë vote kanë 109,000 serbë të Kosovës dhe do të votojnë në 28 lokacione dhe 90 vendvotime në tërë territorin e Kosovës.
Serbët e veriut, megjithatë, janë zotuar se do të mbajnë edhe zgjedhjet lokale, pavarësisht mungesës së mbështetjes nga Qeveria serbe dhe kundërshtimeve të ashpra të ekzekutivit kosovar.
Përfaqësuesit ilegalë të veriut kanë thënë se lokalet do t’i mbajnë ndarazi nga ato parlamentare dhe presidenciale.
OSBE-ja ka theksuar se nuk do të lehtësojë zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë. (rel)