Gjobat e “Rejsi Farma”/ Dyshime për fatura të dyfishta ndaj spitalit të Fierit, vendimi bllokohet në gjykatë

Kompania farmaceutike “Rejsi Farma” nuk mjaftohet me milionat, që merr nga tenderat në shëndetësi, por ka nisur të vendosë “gjoba” spitaleve të rretheve për të përfituar sa më shumë para publike nëpërmjet furnizimit me barna të listës së rimbursueshme në spitale.
Sipas asaj që raporton “Top Channel“, “Rejsi Farma” kërkon të marrë para dy herë për fatura, të cilat spitalet i kanë likuiduar në përfundim të çdo muaji në bazë të konsumit mujor të medikamenteve, për të cilat disponojnë edhe akt rakordimet.
Por “Rejsi Farma” ka lëshuar të tjera fatura, pa marrë parasysh paratë që janë arkëtuar njëherë në llogari të kësaj kompanie.
Madje nëpërmjet edhe të një vendimi të Gjykatës së Fierit ka tentuar t’i ekzekutojë ato me përmbarues privat ku në fillim u bllokua edhe llogaria bankare e Spitalit rajonal të Fierit. Bëhet fjalë për periudhën mars – korrik 2025 ku “Rejsi Farma” në mënyrë abuzive ka lëshuar një faturë prej afro 120 milionë lekë të vjetra.
Por në kushtet kur këto fatura ishin paguar kjo është kundërshtuar nga Fondi i detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor, që paguan për rimbursimin e barnave dhe spitali Rajonal i Fierit të cilët e kanë paditur “Rejsi Farmën” në gjykatë duke kërkuar pezullimin e vendimit të parë dhe pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv për fatura të lëshuara nga kompania “Rejsi Farma” për periudhën mars – korrik 2025. Të dy institucionet kanë vënë në dispozicion të Gjykatës edhe faturat mujore të likuiduara ndaj kompanisë farmaceutike.
Në bazë të gjithë dokumentacionit të paraqitur në një seancë gjyqësore të zhvilluara në Tiranë në fillim të muajit shkurt gjyqtari Aurel Arapi ka konkluduar në pezullimin e vendimit të Gjykatës së Fierit për ekzekutimin nëpërmjet përmbaruesve private të faturave të lëshuara nga kompania “Rejsi Farma”, e cila kërkon të përfitojë dyfish para në mënyrë abuzive nga buxheti i shteti planifikuar për rimbursimin barnave spitalore në rrethe.