Gjobat, në katër muaj 250 milionë lekë në buxhetin e shtetit
Ligji i duhanit
Penalizimet janë vjelë duke përfshirë edhe vlerën e kamatëvonesës
Lorina Mixha
Brenda katër muajve të parë të vitit buxheti i shtetit është shëndoshur ndjeshëm në sajë të zbatimit të ligjit kundër produkteve të duhanit. Sipas të dhënave të bëra publike nga kreu i Task-Forcës, Roland Shuperka, për periudhën katërmujore në buxhetin e shtetit janë depozituar plot 25 milionë lekë të reja vetëm nga vjelja e penalizimeve dhe gjobave të vendosura. Vlera është edhe më e lartë nëse do të llogarisnim këtu edhe paratë që subjektet kanë paguar në formën e kamatëvonesës. Sipas Shuperkës,
me ndryshimin e ligjit të Inspektoratit, që bëri Ministria e Shëndetësisë gjobat janë absolutisht të ekzekutueshme.
Task-Forca për periudhën 4-mujore që punoi në terren ka depozituar në buxhetin e shtetit 224 gjoba, nga këto 29 me vlerë 50 mijë lekë secila dhe pjesa tjetër afro 295 gjoba të tjera me 80 mijë lekë të reja secila, plus kamatëvonesa, deklaroi Shuperka. Në vitin 2011, për periudhën janar – tetor, Inspektorati Sanitar Shtetëror nuk ka depozituar asnjë gjobë në buxhet të shtetit, kjo ishte dhe arsyeja që ministri i Shëndetësisë ngriti grupin Task-Forcë.
Pak kohë më parë u përfol nga specialistët e shëndetit publik se janë marrë nisma për ndryshime dhe amendime për ligjin kundër produkteve të duhanit. Por nga ana tjetër, kreu i Task-Forcës për inspektimet e subjekteve për zbatueshmërinë e ligjit, ka konfirmuar se nga ana e strukturave nuk ka asnjë nismë për ndryshime në ligjin aktual. Ndërkohë që subjektet nga ana tjetër kërkojnë amendime, duke dhënë mundësinë që baret, lokalet dhe restorantet të kenë hapësira të ndara për të lejuar në një pjesë konsumin e duhanit dhe për ta ndaluar në pjesë të tjera.
Sakaq, prej dy muajsh ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ngrirjen e llogarive bankare për të gjitha subjektet që nuk zbatojnë ligjin ose sekuestrimin e pajisjeve që ndodhen në ambientet ku ushtrojnë veprimtarinë. Në këtë pikë, inspektorët kanë të drejtë të marrin, karrige, tavolina, televizorë e gjithçka tjetër të lëvizshme.
Gjobat, në katër muaj 250 milionë lekë në buxhetin e shtetit burimi: Gazeta Shqip