Abuzimet me diplomat
Dyshime edhe në universitete publike
Inspektimet në shtet në fazën e dytë, raporti për privatët në fund të vitit akademik
Universitetet janë vetëm 3 dhe 44 të tjerat japin diploma të larta, tha pak kohë më parë kreu i arsimit
Lorina Mixha
Vërtetësia e diplomave, certifikimi i vlerësimeve të dijeve të studentëve vihen në dyshim jo vetëm në sistemin privat, por edhe në atë publik. Pas skandalit të diplomave të lëshuara nga universiteti Kristal, një raport i detajuar vlerësimi për mënyrën sesi shpërndahen diplomat, në këtë institucion të arsimit të lartë, por edhe në shkolla të tjera private, do të jepet në fund të vitit akademik. Ndërkohë që kontrolli dhe inspektimet nuk do të ndalen me publikimin e këtij raporti, por do të vijojë edhe më gjerë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka konfirmuar se universitetet publike do të kontrollohet për rregullsisë se si lëshohen dokumentet që certifikojnë rezultatet e studentëve. Inspektimet këtë herë nuk do të jenë për cilësinë e mësimdhënies apo për të dhënë detaje lidhur me renditjen nga më cilësori tek0 ai më pak kualitativ, por për dokumentacionin, për mënyrën sesi ruhen shkresat, si firmosen ato, si paraqitet saktësia e hedhjes së firmave dhe sa të përgjegjshme janë institucionet publike në mbajtjen e të dhënave të studentëve, numrat e amzës e gjithçka tjetër që lidhet me vërtetimin e ndjekjes, frekuentimit, provimeve dhe marrjes së diplomës për studentët dhe pasuniversitarët. Por me publikimin e raportit dhe grumbullimin e të dhënave, para çeljes së vitit të ri akademik dhe pranimeve të studentëve, pritet se do të çelet një debat ku do të përfshihen në diskutim për cilësinë e mësimdhënies dhe rregullsinë e dokumentacionit mes përfaqësive të universiteteve që çdo vit kanë numrin më të madh të pranimeve. Debati pritet të zgjerohet edhe me universitetet publike që do të paraqesin problematikën, por edhe kundërshtitë e rezultateve të renditjeve të universiteteve sipas raportit të publikuar një vit më parë nga kompania gjermane.
Sipas njoftimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke nisur nga fillimi i muajit maj, inspektorë të dy institucioneve publike janë përfshirë në kontrolle në universitetet private lidhur me mbajtjen e të dhënave, dokumentacionit dhe vlefshmërinë e lëshimit të diplomave në këto institucione të arsimit të lartë.
Raporti përfundimtar me të dhënat për universitetet private, nisur edhe nga ngjarja e universitetit Kristal do të bëhet publik në fund të vitit akademik, ka sqaruar njëri prej drejtuesve të grupit të inspektimeve. Raporti i detajuar nëse institucionet i zbatojnë rregullat apo i shkelin ato do të jepet menjëherë pas mbylljes së sezonit të provimeve për këtë vit akademik.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës grupet e inspektimit janë të përbërë me 4-5 specialistë. Ata po inspektojnë universitetet kryesisht për zbatimin e procedurës, notat e hedhura në procesverbale, dokumentet e firmosura për provimet e dhëna, verifikimin e firmave të profesorëve dhe komisioneve që kanë aprovuar dhënien e diplomave, numrat e amzës, si dhe frekuentimin, procedurat e ndjekura për studentët që kalojnë nga një vit në tjetrin. Po ashtu, inspektorët e Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë aktualisht po kontrollojnë universitetet edhe për mënyrën se si po zbatohet ligji i arsimit të lartë i amenduar rreth dy vjet më parë.
Të dhëna
Ligji - I arsimit të lartë, mënyra se si zbatohet në universitete është një tjetër pikë e inspektimeve për të cilët grupet e kontrollit po monitorojnë
Dyshimi - Për lëshimin e diplomave dhe fiktivitetin e tyre sipas ekspertëve shihet si në universitetet publike ashtu edhe në ato private që aktualisht po kontrollohen
Pranimet - Për vitin e ri akademik do të bëhen pas publikimit të raportit të Ministrisë së Arsimit lidhur me kontrollet në institucionet private
Abuzimet me diplomat burimi: Gazeta Shqip