E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobat presin fuqizimin

Institucionet private shëndetësore që janë ndëshkuar nga Inspektorati Farmaceutik, do t’i paguajnë gjobat nëse Bordi për Ankesa vlerëson se gjetjet janë të bazuara. Zyrtarët e këtij institucioni janë të bindur se dënimet e shqiptuara ndaj spitaleve private për parregullsi të ndryshme, janë marrë duke u bazuar në fakte. Nga Nexhmije Ahmeti më 04 tetor 2011 në ora 08:50

Spitalet private në të cilat inspektorët e shtetit kanë gjetur parregullsi, duhet t’i bëjnë gati përgjigjet e tyre sqaruese. Spitali “Bahçeci” , “International Medicinal Hospital”, “Intermed Eda”, “Aloka”, “Galaxy”, spitali për gjinekologji “Lindja”, “Euromed”, dhe spitali i përgjithshëm “Lindja”, duhet të përgatisin kundër argumentet e tyre nëse duan t’i hedhin poshtë gjetjet e inspektorëve, të cilat janë përmbledhur në një raport zyrtar, për të cilin ka raportuar Expressi.

Këto tetë institucione private shëndetësore kanë 15 ditë afat që të ankohen në Bordin për Ankesa që funksionin në kuadër të Agjencionit për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Inspektorët e këtij institucioni, në tetë institucionet shëndetësore private të inspektuara, gjetën ilaçe pa banderola, barnatore pa licencë dhe shumë parregullsi të tjera. E për të gjitha këto u shqiptuan gjoba prej 3 mijë e 500 euro më e vogla, deri në 10 mijë euro më e larta, apo në total prej 64 mijë e 500 eurosh

Mirëpo gjoba do të paguhet vetëm pas vlerësimit që jep Bordi i Ankesave.
Kryeinspektori Haki Ejupi është i bindur se të gjitha gjobat janë të bazuara në fakte, të cilat janë gjetur nga inspektorët nëpër spitalet dhe klinikat private, të cilat i janë nënshtruar inspektimit.

Ajo që më së shumti e shqetëson kryeinspektorin, është prania e barnave të listës esenciale. “Në secilën prej këtyre spitaleve që janë inspektuar, janë gjetur ilaçe të listës esenciale. Qysh është e mundur që një menaxher që investon me miliona, mundohet të pasurohet me barna të Ministrisë së Shëndetësisë”, thotë Haki Ejupi për Express.

Megjithatë, ai pranon se inspektimet nuk janë bërë me qëllim që të njolloset asnjë institucion privat, por qëllimi është i mirë që edhe në to të respektohet ligji.

“Ne na obligon ligji që të ndërhyjmë te secili subjekt, qoftë edhe fizik, ku dyshohet se bëhet manipulim, tregti apo kontrabandë të barnave, në mënyrë jo të ligjshme, apo barna jocilësore”, sqaron Ejupi për Express.

Duke mos dashur të ndërhyjë, kryeinspektori ia lë nën dorë Bordit të Ankesave që të japë fjalën e fundit në lidhje me ndëshkimet. Por Ejupi paralajmëron se nëse gjendja nuk përmirësohet as pas këtyre dënimeve, Inspektorati do të kërkojë nga Bordi i Licencave që atyre institucioneve që nuk i respektojnë rekomandimet e inspektorëve, t’u merret e drejta e ushtrimit të veprimtarisë.

Sipas tij, inspektim të njëjtë do të ketë edhe nëpër institucione të tjera private që operojnë në Kosovë. Në të gjitha institucionet private inspektorët kanë hasur në barna të listës esenciale të llojit insulinë. Ndonëse nuk përmenden emra, sipas raportit, në këtë rrjedhë është të implikuar drejtpërdrejti personeli që punon në institucionet publike shëndetësore, por edhe qarkulluesit farmaceutikë me shumicë dhe barnatoret.

Me këtë rast, inspektorët bëjnë të ditur se katër barnatore janë ndëshkuar për shkak se në mënyrë të kundërligjshme, institucioneve private u janë shitur produkte të listës esenciale të quajtur Mixtard dhe Actrapid, apo për këto institucione kanë lëshuar fatura shitëse për të njëjtat produkte. Të gjitha barnatoret e ndëshkuara kanë mohuar që t’u kenë shitur ndonjëherë produktet e tilla.

Një gjë të tillë, sipas raportit të inspektorëve, e ka bërë klinika kirurgjike “Aloka”, e cila pas gjetjes së insulinave, u ofron inspektorëve një paragon përmes të cilit pretendon se këto produkte i ka blerë në barnatoren “Duropharm”. Pas inspektimit të barnatores, pronari i saj deklaron se i ka lëshuar një faturë institucionit “Aloka” si dëshmi fiktive gjoja se e ka blerë barin tek ajo. Kjo barnatore është ndëshkuar nga inspektorët e AKPM-së. Inspektimi është bërë në muajin korrik, ndërsa raporti është përpiluar më 28 shtator.

Sidoqoftë, tash pritet fjala e Bordit të Ankesave, i formuar brenda AKPM-së.
Edhe pse nuk është i paraparë me ligj, AKPM-ja e ka bordin e vet, i cili është ekzekutiv.

Expressi ka bërë përpjekje të flasë me kryeshefin e AKPM-së, Jeton Shala për të sqaruar formimin e bordit që është bërë në mënyrë joligjore. Por kontakti me Shalën të hënën ishte i pamundur. Burime të gazetës brenda AKPM-së sqarojnë se në përbërje të bordit janë njerëzit të cilët i ka emëruar vetë Shala dhe kjo sipas këtyre burimeve, mund të ndikojë në vendimet e tij.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›