Selimi: Polici Zymberi nuk u vra nga snajperi, por nga afërsia

Lëvizja Vetëvendosje ka vënë në dyshim se vrasja e policit Enver Zymberi më 25 korrik në veri të Kosovës është bërë me snajper. Në një konferencë për media, Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes dhe anëtar i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, ka thënë me bindje të plotë se polici Enver Zymberi është vrarë nga afërsia me armë automatike nga një pritë e kriminelëve serbë.
Këto pohime, Selimi thotë se i mbështet në raporte të ndryshme, përfshi edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare të sigurisë, të cilat, sipas tij, flasin në mënyrë klasike për një pritë nga ana e serbëve.
Ai ka thënë se vrasjes me snajper, Ministria e Punëve të Brendshme i referohet vetëm në raportin që i ka dërguar në korrik Komisionit për punë të brendshme dhe siguri.
“Ministria e Punëve të Brendshme për snajper flet vetëm në këtë raport dhe në asnjë raport tjetër. Në raportet tjera shpjegohet në mënyrë klasike si ka qenë prita, në çfarë distance ka qenë prita dhe raporte normalisht nuk i ka bërë vetëm Ministria e Punëve të Brendshme, por kanë bërë edhe faktorët tjerë që kanë të bëjnë me sigurinë, qoftë edhe raportet e mekanizmave të sigurisë ndërkombëtare, por le të mbesin ashtu siç janë. Por unë e konfirmoj edhe njëherë se Enver Zymberi nuk është vrarë me snajper, por është vrarë nga afërsia, nga një pritë klasike e njësiteve kriminale serbe”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, plani i Qeverisë së Kosovës ka qenë pa plan dhe as policët nuk kanë qenë të njoftuar, madje ata kanë qenë të papajisur mirë për shkak se nuk e kanë ditur se ku po shkojnë.
Selimi ka thënë se ky ka qenë një veprim i pamatur i Qeverisë së Kosovës, pasi që nuk ka pasur pararojë, nuk ka pasur mjete teknike të lëvizjes dhe nuk ka pasur mbështetje medicinale, që gjë ka çuar deri tek një viktimë.
“Mendoj se mungesa e këtyre pajisjeve adekuate ka sjellur në një situatë kur policët kanë qenë vërtetë të pambrojtur, sepse polici Enver Zymberi nuk është vrarë nga një snajper, por është vrarë nga një pritë klasike në distancë të afërt, i cili ka qenë në një mjet të pablinduar, siç kanë qenë mjetet e transportit komercial”, ka thënë Selimi.
Këto komente ai i bëri në një konferencë të Lëvizjes Vetëvendosje, ku bashkë me Albin Kurtin kanë prezantuar planin 13 pikësh për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje edhe me këtë rast ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve dhe dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës.
13 pikat e Vetëvendosjes për shtrirjen e sovranitetit në veri
Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur konferencën për media t’i thotë të gjitha ato që kishte menduar t’i thotë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për veriun, për të cilën nuk kishte marrë mbështetjen, madje as të partive opozitare të përfaqësuara në Kuvend. Albin Kurti e Rexhep Selimi të hënën kanë prezantuar një plan prej 13 pikave, duke besuar se zbatimi i tij do ta bënte që Kosova ta shtrinte sovranitetin e vetë në veri të vendit.
Prezantimit të këtyre pikave, i ka parapri analizimi i raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për situatën në veri, të cilin ministri Bajram Rexhepi e ka dorëzuar në Komisionin për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrjen e FSK-së.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë me këtë rast se ky plan operacional i Qeverisë së Kosovës përfundimisht është një përmbledhje e sygjerimeve dhe këshillave për KFOR-in dhe EULEX-in, dhe është thjesht një taktikë që nuk ka të bëjë me Serbinë, por me vetë qytetarët e Kosovës.
Duke u referuar edhe në kërkesat e Vetëvendosjes që në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Kurti ka lexuar 13 pikat e Vetëvendosjes si vijon:
1. FSK duhet të bëhet ushtri,
2. Në veri të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së rëndë atje,
3. Kosova të krijojë marrëdhënie të fuqishme bilaterale me vendet e veçanta që e kanë njohur pavarësinë, veçmas me SHBA-në, Shqipërinë, vendet e fuqishme të BE-së, Turqinë,
4. Të ndërpriten bisedimet pa kushte me Serbinë,
5. Të ndërpriten burimet financiare të strukturave kriminale të Serbisë në veri,
6. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa reciprocitet e simetri të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Serbi. Shqipëria dhe Kosova bashkarisht duhet të angazhohen për shqiptarët kudo që ata janë e posaçërisht për ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Arsyeja kryesore pse Serbia e ka synuar decentralizimin në Anamoravë është që ta hedhë farën e ndarjes dhe izolimit të asaj pjese nga Kosova,
7. Integrimi i serbëve të veriut mos të bëhet me privilegje, por me zhvillim arsimor e ekonomik dhe me barazi para ligjit,
8. Të revitalizohet Trepça,
9. Të ofrohen bursa nga UP-ja për shqiptarët dhe serbët e veriut,
10. Të investohet në spitalin në jug të Mitrovicës,
11. Të forcohen fshatrat shqiptare në veri,
12. Të kthehen të dëbuarit shqiptarë nga veriu dhe
13. Të mos lejohet që Qeveria e Serbisë t’i blejë pronat e shqiptarëve në veri, por nëse i shesin, ato t’i blejë Qeveria e Kosovës.
“Këto janë 13 pika, 13 hapa të integruar, të cilët ne mendojmë se në kuadër të një strategjie serioze do të mund të bënin integrimin e veriut. Me bisedimet me Serbinë, veriu i Kosovës i afrohet Serbisë, ndërkaq Serbia i afrohet Bashkimit Evropian. Këto bisedime nuk kanë të bëjnë asgjë me sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe mendoj se janë të dëmshme për këtë brez e të rrezikshme për brezat e ardhshme. Edhe raporti që e kanë bërë për datën 25 korrik, edhe plani operacional gjashtëmujor, janë taktika qeveritare, joserioze dhe të pasinqerta”, ka thënë Kurti.
Në konferencën për media prej 42 minutash, Kurti i ka kushtuar një vëmendje të veçantë bisedimeve me Serbinë, duke kërkuar që ato të ndërprehen menjëherë, përderisa ka thënë se plani kryesor i Qeverisë së Kosovës është pikërisht ai për fillimin e bisedimeve politike, përkatësisht takimit ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë Boris Tadiç.
“Bisedimet teknike janë një lloj hyrje, parathënie e bisedimeve politike. Kryeministri Thaçi po i përdorë mediat e afërta me të që ta përgatis opinionin për takimin e tij me kryetarin e Serbisë Boris Tadiç. Pra ky është plani i vërtetë. As plani operacional, as strategjitë e propaganduara nuk janë plane të vërteta. Ato janë plani A, i cili i dedikohet qytetarëve të Kosovës. Plani i vërtetë i kësaj Qeverie është plani B, që nënkupton takimin e ardhshëm makabër midis Hashim Thaçit dhe Boris Tadiçit”, ka thënë Kurti.
Kurti e Selimi kanë kritikuar veprimet e Qeverisë së Kosovës nga 25 korriku e këtej, duke thënë se gjithçka ka shkuar në drejtim të vënies së një status quoje të re mbi status quon e vjetër.
“Ne mendojmë se fillimi i aktiviteteve të qeverisë më datën 25, nuk ka qenë fare plan dhe mungesa e planit është plan për të dështuar dhe me keqardhje ju them se plani i Qeverisë së Kosovës në veri ka dështuar plotësisht, ashtu siç shihet edhe në raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Rexhep Selimi.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar ditë më parë seancë të jashtëzakonshme për veriun e Kosovës, mirëpo nuk ka arritur t’i mbledh 40 nënshkrime, për shkak se në këtë kërkesë nuk e kanë mbështetur grupet tjera parlamantare, përfshi as ato opozitare, përjashtuar disa deputetë të AAK-së. Drejtuesit e Vetëvendosjes thonë se në këtë rast përgjegjësinë më të madhe për ikjen nga një seancë e tillë e ka koalicioni qeveritar, për shkak të mundësive më të mëdha për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme. /kosovapress/