Kriza e Dialogut
Analisti për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti qysh në muajin mars kishte parashikuar mundësinë e ndërprerjes së dialogut Prishtinë –Beograd.
Entuziazmi i ditëve të para të këtij procesi nuk e kishte bindur Rashitin.
Tash kur dialogu është ndalur për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në raundin e shtatë të bisedimeve, ky analist i ICG’së vazhdon të jetë skeptik.
“Është shumë e vështirë që të shohim një progres të theksuar në implementimin e marrëveshjeve teknike apo edhe avancimin në çështjet e mbetura. Nuk jam i sigurt se Beogradi do të pajtohet në çështjet e mbetura.
Ky proces i dialogut politik për çështje teknike ka dëshpëruar edhe BE’në dhe se vlerësimet ndërkombëtare janë të pamjaftueshme për ta quajtur këtë dialog të suksesshëm”, ka deklaruar Rashiti të hënën për Express.
“Kjo ndodh për faktin se edhe Prishtina dhe Beogradi, në veçanti nuk kanë hyrë në dialog vullnetshëm. Në fakt e kanë parë si të imponuar. Për shkak të natyrës së temave, ku Serbia është dashur të heqë dorë nga bllokimi i Kosovës, Beogradi e ka përjetuar rëndë dhe nuk është në gjendje të shtyjë më tutje. Edhe nëse ndodh, do të bëhet vetëm sa për të kënaqur lehtësuesit e BE’së. Pas dhjetorit, është vështirë të pritet ndonjë dialog domethënës për shumë muaj”, ka shtuar ai.
Sikurse edhe më parë, sipas Rashitit, një ndikim thelbësor në këto zhvillime do të kenë proceset zgjedhore në të dyja vendet.
“Nuk do te ketë dialog substancial para zgjedhjeve të prillit 2012 në Serbi, ndoshta jo edhe para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2013 në Serbi. Po ashtu në Kosovë do të ketë zgjedhje në vitin 2013, sipas planit, e mund të ndodhë edhe më herët. Prandaj, dialog mund të ketë, por dialog për marrëveshje, jo deri atëherë”, thotë Rashiti.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...