Gjokovic ne finale

Kur ndodhet në formën e tij të zakonshme, bëhet i papërballueshëm për rivalët. Është ai mbreti i tenisit, Novak Gjokoviç, ndërsa numri 1 i botës është në prag të një tjetër suksesi të madh.
Serbi u kualifikua për në finalen e turneut të Abu Dabit duke kaluar pengesën e quajtur David Ferrer, me anë të një fitoreje 2-0 me sete. Spanjolli i fortë, një nga më të talentuarit e këtij sporti, nuk ia doli dot të përballonte furinë e Gjokoviçit, duke e humbur setin e parë pa fituar asnjë lojë, pra 0-6.
Në setin e dytë, ai arriti të krijonte një avantazh fillestar, por rikthimi i numrit 1 në botë ishte i fuqishëm dhe ai arriti të dominonte setin duke e fituar atë me rezultatin 6-3.
Novak është fitues në fuqi i Australian Openit dhe duket në formë të shkëlqyer për të synuar një tjetër titull Grand Slemi.
Ai do të jetë favorit në finalen ku do të ketë përballë spanjollin tjetër, Nikolas Almagro.
Ky i fundit fitoi 2-1 me sete ndaj Janko Tipsareviçit, ndërsa gjysmëfinalet në Abu Dabi ishin një duel serbo-spanjoll, ashtu siç do të jetë edhe finalja.
Almagro përmbysi rezultatin pasi Tipsareviç fitoi setin e parë 6-2. Në setin e dytë, spanjolli përballoi presionin duke fituar 7-6, ndërsa e pati më të lehtë në të tretin, që e bëri të vetin 6-2.
Fituesi i turneut në Abu Dabi do të shpërblehet me një çek prej çerek milioni dollarësh amerikanë.